Kosova
Do ketë luftë, të mbrohet Kosova/ Deklarata e ekspertit austriak
Eksperti austriak Gunther Fehlinger, duke folur në lidhje me situatën e sigurisë në Ballkan, theksoi se Bashkimi Europian duhet të jetë gati t’i përgjigjet Serbisë nëse tenton të nisë luftë në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.
Ai bëri apel edhe ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi që të përgatiten për t’i treguar Serbisë se nuk mund të kryej aksione ushtarake me qëllim ndryshimin e kufijve.
“Duhet të mbështesim ndryshimin e lidershipit në Beograd dhe në gjithë Serbinë. Njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë e padiskutueshme, por duhet të përgatitemi për luftë nga Serbia në Kosovë dhe në Bosnje, pasi regjimi i Vuçiçit është shumë i rrezikshëm. Duhet të mbrojmë Kosovën dhe Bosnjën, përpara se të bëhet shkëputja e Republikës Srpska. Të gjitha ushtritë e Ballkanit të jenë të gatshme për të mbrojtur Kosovën, sidomos ajo e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe t’i tregojnë Serbisë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet” – theksoi Fehlinger, duke shtuar se për Serbinë skenari më i mirë është të shkëputet nga Rusia.
“Nuk duhet që Serbia të kthehet në Bjellorusinë e Ballkanit. Në zgjedhjet e fundit në Bjellorusi Lukashenko i humbi zgjedhjet por ai vazhdon të jetë në pushtet. Serbia sot është Bjellorusia e Re, ajo armatoset dhe është nën ndikimin politik rus dhe e tillë ka qenë e tillë që në vitin 2003 me vrasjen kryeministrit Zoran Gjingjiç” – tregoi Felinger
Eksperti austriak tha se Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve te BE-së, ka marrëdhënie tregtare me Rusinë dhe ka një qendër në Nish që konsiderohet qendër humanitare, por në fakt është një bazë ushtarake ruse.
“Është një lidhje shumë e rrezikshme dhe një moment problematik, ndaj të gjithë duhet të jenë gati dhe kjo vlen për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi”, tha analisti.
Fehlinger theksoi gjithashtu se dy javët e ardhshme do të jenë të vështira për Ballkanin, dhe apeloi që SHBA-të të shtojnë trupat dhe t’i tregojnë vendin Serbisë nëse do të bëjë përpjekje për të pushtuar territore.
“Dy javët e ardhshme do të jenë shumë të vështira. Rusia do që ta ketë Serbinë gjithmonë në anën e saj. Deri tani ka qenë e suksesshme. Por dhe vetë Rusia është në prag të kolapsit ekonomik dhe gjëja e fundit që asaj i duhet, janë sanksionet nga Serbia. Prania ruse dhe bashkëpunimi që po i ofron Serbia, përbën rrezikun më të madh në Ballkan. Serbia kërkon ta kthejë Kosovën në një lloj Donbasi, ndaj duhet një prani më e madhe e trupave të SHBA në Ballkan për t’i treguar Serbisë se çdo përpjekje për të marrë territore do marrë përgjigjen e merituar. Kjo është mënyra e vetme për ruajtjen e paqes” – tha eksperti austriak.