Connect with us

Politike

Do shkoni në zgjedhje si tek Vehbiu dhe te Sudja, jep 1 merr 2

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën , parlamentare.

Duke qenë se zonja Hajdari solli këtu shqetësimin për naftëtarët në Ballsh, unë dua të sqaroj zonjën Hajdari dhe të tjerët që njësoj si ajo flasin për vete, kur ju referohen hallexhinjve të këtij vendi, se hallet e njerëzve nuk zgjidhen me padituri dhe nuk zgjidhen duke gënjyer. Natyrisht, unë nuk kam asnjë arsye të mendoj, zonja Hajdari, se ju gënjeni me vetëdije, por gënjeni nga padituria. Ju thoni që nafta aty po vidhet, ndërkohë që fabrika është e fikur, nuk përpunon asnjë gram naftë. Ndërkohë që, nga ana tjetër, fabrika përpunon naftën që nxirret nga kompania, e cila eksploron fushën pranë, në Patos-Marinzë. Kompania është private, është e huaj dhe për sa kohë fabrika është e fikur, kompania, naftën që nxjerr e çon në treg, ashtu siç mendon ajo.
Si vidhet nafta dhe kush e vjedh në këtë rast, kur këtu bëhet fjalë për një kompani private, nga njëra anë dhe një rafineri të fikur, nga ana tjetër?
Ju thoni që fabrika nuk punon se ata s’marrin rrogat. E kundërta është ë vërtetë. Ata nuk marrin rrogat, sepse fabrika nuk punon.
Është e rëndësishme që në përpjekjen tuaj të sinqertë, besoj, për të ndihmuar njerëzit, të përgatiteni kur merrni përsipër t’i ndihmoni se nga dëshira për të ndihmuar, por nga padija, mund të bëni më shumë dëm sesa mirë.
Ndërkohë që, nga ana tjetër është e pavërtetë kjo që thoni ju, që unë hesht, bëj sikur nuk dëgjoj, apo ne bëjmë sikur nuk dëgjojmë. Ne dëgjojmë dhe dëgjojmë shumë mirë, por ka një problem. Është një kompani private, rafineria nuk është e shtetit, sepse është privatizuar në mënyrë skandaloze, dihet botërisht, nga qeveria e ish partisë suaj e qysh atëherë, ajo nuk është më në duart e shtetit, është në duart e privatit dhe punonjësit e një ndërmarrje private, e cila falimenton, trajtohen nga shteti me asistencë sociale. Ky është detyrimi që ka shteti, asistencë sociale.
Çështja është që ne jemi shumë të dëgjueshëm ndaj hallit të tyre. E dimë shumë mirë që ata nuk janë aty, sepse duan asistencë sociale, se mund ta kishin që ditën e parë, por asistenca sociale implikon edhe largimin përfundimtar prej aty. Ata duan pagat. Nga kush i duan pagat, nga shteti? Si mund të jetë kështu, që një ndërmarrje private falimenton, punonjësit e saj futen në grevë dhe i kërkojnë shtetit të bartë si trashëgimi problemin që e krijon kompania private! Nuk jemi më në komunizëm, qysh se i ndjeri dhe i nderuari babai juaj, bashkë me të tjerët vendosën ta rrëzojnë komunizmin. Nuk shoh ndonjë arsye për t’u penduar për atë ndryshim, përkundrazi, por ama është një arsye për të kuptuar që marrëdhëniet e punës dhe marrëdhëniet mes individit dhe shtetit kanë ndryshuar. Këtë gjë, nganjëherë për njëmijë e një arsye, njerëzit në grupe të caktuara, apo në momente të caktuara nuk duan ta kuptojnë.
Thënë të gjitha këto, unë po përsëris çdo ditë dhe mbase dhe ju më ndihmoni mua, meqë keni kontakt me zonjat atje, që ato të ndalojnë grevën, ta mbyllin grevën dhe unë të shkoj atje menjëherë e ta qajmë hallin bashkërisht.
Pse duhet ta mbyllin grevën? Sepse qeveria normalisht, por kjo qeveri veçanërisht, nuk bashkëbisedon nën presion. Nuk mund t’i lejojmë vetes, me gjithë dhimbjen dhe sinqerisht e them, dhe respektin për hallin e atyre grave, që këtu të krijohet precedenti që, nëse je i pakënaqur me sipërmarrësin në kompaninë ku ti punon, apo je i lënë në baltë prej tij, të futesh në grevë dhe merr ato që kërkon pa pranuar as të dëgjosh arsyen e tjetrit dhe tjetri në këtë rast nuk është një palë tjetër, është qeveria, e cila administron kontributet e të gjithë shqiptarëve.
Përfitoj nga rasti t’ju ftoj dhe ju që të bashkoheni me mua në përpjekjen që zonjat ta mbyllin grevën e të mos humbasin kohë, sepse përsa kohë do të rrinë aty, nuk ka bashkëbisedim, nuk ekziston, nuk do të ndodhë. Është parimore dhe në këtë linjë parimore, unë nuk mund të lëviz dot, jo se nuk dua unë personalisht, por sepse nuk duhet për parimet mbi të cilat funksionon shteti, raporti individ-shtet, në këtë sistem që kemi zgjedhur dhe mbi të cilat funksionon kjo qeveri.
E kanë provuar dhe të tjerë më parë që këtë qeveri, këtë shumicë ta sfidojnë me presion. Nuk funksionon, është shumë e thjeshtë. Nuk funksionon. Ilir Meta mendon që funksionon, e ka gabim, nuk funksionon dhe nuk ka për të funksionuar derisa unë të jem në këtë detyrë.
Me naftëtarët e Ballshit, ne jemi gati në moment, sapo ata të mbyllin grevën. Në fund të fundit, greva e urisë për çfarë bëhet?
Për çfarë u fut Azen Hajdari në grevë urie (se është futur njëherë në grevë urie)? Për t’u dëgjuar, jo për të vdekur.
Për çfarë u futëm ne në grevë urie?
Për t’u dëgjuar, për të shtruar problemin në një tryezë me palën tjetër, e cila ishte qeveria e partisë suaj. Jo për të dërguar një ultimatum e për të thënë “zbatoni 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, përndryshe nuk dalim që këtu, përveçse të vdekur”.
Atëherë, në këtë rast nuk ka nevojë, sepse ne, jo vetëm që i kemi dëgjuar, madje, në mënyrë të vazhdueshme, – zëvendësministri i Energjisë ka qenë vijimisht atje, më parë, – kemi qenë shumë të dëgjueshëm. Tani është shumë e thjeshtë. Kemi dëgjuar nga larg, jemi gati të ulemi me arsye. Me ultimatume dhe me presione, “këto janë pagat, paguaji se ndryshe ne nuk dalim nga greva”, nuk funksionon, është e pamundur. Funksionon kështu në një familje? Çohet dot një anëtar i familjes apo dy e t’i thonë pjesës tjetër të familjes “o do bëni këto që themi ne, o ne do hedhim në erë shtëpinë”?
Nuk funksionon, shumë e thjeshtë.
Këtu çështja është, jo që po vidhet nafta, zonja Hajdari, por që nafta nuk po përpunohet. Natyrisht, rafineria e fikur nuk prodhon dot as të ardhurat që duhen për të paguar punëtorët. Si zgjidhet kjo?
Kjo zgjidhet në dy rrugë paralele.
Njëra rrugë është me punëtorët, me arsye, çfarë kemi ne mundësi të bëjmë, si mund ta bëjmë, në sa kohë dhe me çfarë hapash mund ta bëjmë. Dhe këtë mund ta diskutojmë.
Rruga tjetër është të bëjmë atë që po bëjmë çdo ditë, që të gjejmë investitorë të interesuar që të mund ta marrin përsipër këtë gjë. Nuk është pronë e shtetit. E ka një bankë dhe grupe që ikin e vijnë.
Përsa i përket Ilir Metës, sot ai e ka ftuar Parlamentin të rrëzojë dekretin e tij, duke e sfiduar Parlamentin dhe jo vetëm duke sfiduar ata që votuan “pro”, por dhe ata që votuan “kundër”, në integritetin e tyre, jo si persona, por si anëtarë të këtij Parlamenti.
Sipas Ilir Metës, ky Parlament nuk ka legjitimitet për të bërë punën e tij, sepse sipas Ilir Metës, ju që jeni këtu zëvendësues të atyre që ishin këtu, ju kam sjellë unë me Taulant Ballën dhe në bashkëpunim me disa alienë. Ju kemi gjetur në Hënë, ju kemi gjetur në Mars, madje, ndonjërin këtu e kemi gjetur edhe në Jupiter. Prandaj nuk arrin dot akoma të artikulohet.
Por, në fakt, jo.
Të gjithë ju që jeni këtu,  keni ardhur me firmën e Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit. Këta të dy kanë firmosur për ju. Madje, dhe më keq akoma, për disa nga ju ka firmosur doktor Peço Vasili. Pra, ju keni ardhur këtu me recetë nga doktor Peço Vasili.
Tani, Ilir Meta thotë ju nuk ekzistoni. Sipas meje, ju jeni një aksident i dobishëm në këtë fazë, sepse falë jush dhe bashkëpunimit me ju, ne kemi arritur të bëjmë atë që s’do e kishim bërë dot, nëse këtu do ishte Monika, Luli dhe shokët e tyre që nuk duan zgjedhje.
Luli është në pritje që biologjia të kryejë rotacionin. Pra, për arsye biologjike, moshe apo goditjesh në sistemet e mia të frymëmarrjes, apo qarkullimit të gjakut, apo përpunimit të ushqimeve, unë të largohem nga jeta dhe Luli, si pasojë e biologjisë, bëhet kryeministër. Se një tjetër program unë nuk e shoh. Vizioni është i qartë, “Rama Ik, program s’ka”. Ndërsa strategjia është “Prit biologjinë”. Ndërkohë që pret biologjinë, vazhdon bën hajgare me aritmetikën. Sot pashë që tha 60 pa 15 bëjnë 50. E kishte fjalën për tamponët.
Ndërkohë që Ilir Meta ka një problem tjetër shumë të qartë. Një problem aq i qartë, saqë është e dhimbshme nga ana njerëzore ta shikosh katandinë e një individi, të cilit Shqipëria i ka dhënë atë që nuk i ka dhënë askujt, qysh nga dita e parë pas ngritjes së flamurit të pavarësisë, që nga Ismail Qemali e të gjithë të tjerët me radhë në krye apo përreth nuk kanë marrë nga Shqipëria atë që ka marrë Ilir Meta. Edhe kryeministër 30 vjeç, edhe kryeparlamentar 40 vjeç, edhe president 50 vjeç.
Tani për të 60- at, çfarë kërkon ky? Të bëhet mbret? Apo të bjerë dëshmor?
Çfarë kërkon ky, që kërkon të na bindi deri në absurdin më të madh që presidenti ka të drejtë të vendosë tabelë emulacioni tek Varrezat e Dëshmorëve e të thotë kush janë dëshmorët e dalluar? Se kjo është tabelë emulacioni. Atje janë të gjithë heronj, janë të gjithë dëshmorë, kanë titullin më të lartë që mund të japë një vend për bijtë e vet dhe Ilir Meta, me një tabelë emulacioni në krah, me një trastë me verdhushka në dorë, me ca të tjerë rreth e rrotull që bëjnë ato ritualet, shkon dhe u shpërndan medalje si të dalluar mes heronjve. Nuk e ka bërë asnjë në botë këtë, asnjëherë. As mbretërit, as perandorët, as princat, as kancelarët, presidentët e tjerë jo e jo, që t’u japin medalje atyre që kanë rënë në fushat e luftës apo në fusha të tjera të jetës në krye të detyrës, para 50 apo 100 vjetësh. Nuk ndodh dhe është e pamundur të ndodhë.
Ilir Meta kërkon të na thotë jo vetëm që ndodh, por që kjo është gjëja e duhur. Tek kjo shfaqje e një shkarjeje ledhi të rëndë, unë shoh arsyen pse vjen këtu refuzimi për ligjin zgjedhor, për zgjedhjet që bëhen në prill të vitit të ardhshëm, jo në prill të pas 3 viteve. Natyrisht që, nëse do t’i besonim Monikës, me ligjin që ne sot rikonfirmojmë, LSI merr 100 mandate, ndërsa, po të mos e rikonfirmojmë këtë ligj, merr 80. Kuptohet, bashkë me Lulin, se dhe ky është problem më vete. Sepse ligji që ne kalojmë, e bën të qartë për njerëzit se ku të votojnë, për kë të votojnë dhe se ku përfundon vota e tyre. Mirëpo, deri më sot, vota ka qenë voto Lulin, por e ke si ato mrokllat Kinder; hap çokollatën të del Ilir Meta brenda, edhe Monika bashkë. Edhe llogarite ta gëlltisësh, pa e hapur atë. E ke Ilir Metën, bashkë me Monikën, duke bërë protestë çdo ditë për punësime, tenderime, reflektime, rienergjizime dhe dekorata, ndërkohë që ti je demokrat.
Imagjino Korab Lita se nga çfarë ke shpëtuar ti.  Dhe është vërtetë e paimagjinueshme për mua si ti nuk e ke votuara dhe nuk do e votosh prap këtë me sa kuptoj kur në fakt ky ligj shpëton të gjithë demokratët nga të paktën fatkeqësia e pavetëdijshme.
Natyrisht që nuk i shpëton nga fatkeqësia e vetëdijshme se prapë shfaqja do jetë, “nuk jemi bashkë, por bashkë do jemi’. Kështu që ngado që të rrotullohesha çokollatën blu e ke me Ilir Metën, me Monikën brenda dhe sikur të mos mjaftonin këta të dy, ke edhe atë përparësen e Peço Vasilit që e mbështjell çokollatën.
Ne nuk kemi çfarë presim, absolutisht nuk kemi çfarë presim. Për sa i përket përpjekjes Ilir Metës, për ta bllokuar këtë proces, duke e çuar në Komisionin e Venecias, është një përpjekje që përsëri tregon, po të lexosh ato lumë pseudoargumentash se ku do të dali Ilir Meta.
Do të dali aty, ku faktikisht desh të dali dhe më parë. Të hedhë në erë zgjedhjet.
Dëgjova zonjën që foli këtu përpara, nuk e shoh tani por nuk ka rëndësi, që tha, “ju po e bëni këtë se e dini që do humbni dhe prandaj mos e bëni”.
Pra, këta të gjithë dalin dhe thonë “nuk duhet ta bëjnë këtë se me këtë ne fitojmë më shumë’. Jo, ne do e bëjmë këtë se me këtë fiton përfundimisht zgjedhësi. Zgjedhësi fiton pasi di ekzatësisht se për kë voton dhe e di shumë mirë që nesër, nëse voton Lulin e di shumë mirë që e ka edhe Monikën dhe Ilirin paketë, – se Saliun po e po nuk diskutohet, se Saliun, Luli e ka në bark – dhe jo ndryshe. Me ato fushata si në kohën e Ralfit që shkonin te socialistët dhe “bashkë do jemi ne po hë se e kanë mbyll atë punë”. Ma jep votën mua se ju do fitoni po bashkë do jemi. Pastaj te demokratët, ‘bashkë jemi ne, po lëre se ai i gjati ja t’ia fusim kësaj radhe, se ashtu është muhabeti’ dhe kështu merr këtej, merr andej e në fund fare kape qeverinë nga këmbët dhe qeveria ka përgjegjësinë, LSI-ja ka qetësinë.
Kurse dashuria është transaksion, edhe këtej edhe andej.
Po sikundër e kemi thënë dhe më parë, kjo lojë ka mbaruar. Tani mos më thuaj shkarkoje, hiqe sepse e bën si Rudina me naftën që thotë nuk marrin rrogat ata se vidhet nafta. Në fakt, nuk ka rafineri prandaj nuk marrin rrogat ata. Ti e di shumë mirë që nuk është në fund parlamenti që shkarkon presidentin. Është Gjykata Kushtetuese në fund fare, kështu që mos më trego këtë të lutem shumë, ndërkohë që nga ana tjetër, unë mendoj që me këtë ligj, të gjithë duhet të jenë të lehtësuar për faktin se askush përveç PS, që nuk mori atë që donte, askush tjetër nuk mbeti pa marrë diçka nga ajo që donte. PD i mori të gjitha ato që donte, por PD nuk donte që të tjerët të merrnin diçka nga ajo që donin, kjo nuk funksionon.
Edhe Myslymi, edhe Rudina, edhe të tjerët këtu morën diçka nga ajo që donin, por natyrisht nuk mund të merrnin gjithçka sepse pastaj i binte që të tjerët të merrnin asgjë.
Ne një gjë donim, as nuk e ngritëm fare këtu sepse ja u lamë të tjerëve, atyre jashtë dhe juve brenda, se kemi dy tani, ne u bëmë me dy, se një e ke me ligj e me zakon, ne na u bënë dy opozita. Një në shtëpi dhe një e ke te oborri. Kështu që çfarë të bënim ne më shumë.
Ne kemi bërë maksimumin. Brenda këtu është dhe 5 qershori dhe nuk e kuptoj Ilir Metën që flet për 5 qershorin si për 29 nëntorin, nuk e kuptoj. Për 29 nëntorin e kuptoj, e mirëkuptoj, por për 5 qershorin që e përmend dhe e përmend e ka harruar fare që është aty president e që të paktën duhet të bëjë sikur nuk e ka harruar. Jo, e ka harruar komplet. E ka harruar komplet, e ka kthyer presidentin në një si ato krijesat me lloj-lloj materialesh që vendosen nëpër ara për të trembur zogjtë. Si quhen, “kokëkashtë”, jo se nuk shkon as ‘dordolec” nuk e them dot, por ai është në fakt, ashtu quhet por nuk e them dot për Ilir Metën, por ashtu është dhe kërcënon, shantazhon, shfaqet një herë në krah të një busti, një herë në krah të një busti tjetër, del me ato medaljet, flet për dëshmorët, ngre një akuzë të madhe që ne po shkelim mbi gjakun e tyre, me Elisën në krye. Ndërkohë që në fakt e vetmja gjë që ne po kërkojmë të themi është që të mos i ngacmojë, t’i lerë të qetë, t’i nderojë, t’i respektojë e mbi të gjitha t’i shprehi nderimin dhe respektin duke u sjellë si president i republikës, jo si shefi i Monikës dhe i partisë së Monikës, por si president i republikës e kërkon tani të fusë një sherr të madh për llogari të asaj partie që është shëmbëlltyra e degradimit të të gjithë këtyre viteve pasi ka bredhur lule më lule. Tani e ka gjetur lulen edhe me emrin e duhur dhe kërkon të na fusi të gjithëve në një ferr. Nuk ka për të ndodhur sepse ne do t’i qëndrojmë të gjitha detyrimeve tona, jo vetëm në raport me Komisionin Europian se tani flet Ilir Meta në emër të Europës.
Keni parë ndonjë president ju përfshirë dhe Sali Berishën, që e dini sa për zemër e kam, që të presë ambasadorë, sa shkelin në Shqipëri, shkojnë të shkojnë kredencialet e t’ju rrokanisë kokën 5 qershori, 5 qershori. Keni parë ju që presidenti të propagandojë çdo ditë pse Shqipëria nuk duhet të ecë më tutje?
Me demek që po e pengon Edi Rama dhe po e pengojnë socialistët, por në fakt jo, fare, ideja është për të krijuar të njëjtin problem, siç kanë krijuar gjithmonë, për t’u ushqyer ata, të cilët mund të mos kenë dëshirë që ta çojnë procesin përpara për 1001 arsye që janë të tyret që nuk kanë lidhje me ne.
Më shkruanin dje, 8 eurodeputetë të partive popullore, jemi të tronditur. Për çfarë? Do t’ju përgjigjem me shkrim, por për çfarë janë të tronditur? Që ne do rivotojmë sot një ligj që e kemi votuar para dy javësh dhe për të cilin Komisioni Europian është shprehur Si mund të presim ne Venecian deri në dhjetor, ndërkohë që ligji ka kaluar 2 javë përpara, këtu nuk jemi duke kaluar një ligj të ri, këtu do kalojmë pikë dhe presje ligjin që kemi kaluar dy javë përpara pas një procesi që ka marrë vite. Për çfarë janë të tronditur? Nuk e kuptoj, nuk arrij ta kuptoj. Ose më saktë e kuptoj shumë mirë, janë të keqinformuar qëllimisht, duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet ndërpartiake dhe pastaj thonë “zoti Kryeministër, ne shpresojmë që ti të vësh interesat e Shqipërisë të parat”. Pa diskutim dhe prandaj jemi këtu për ta rivotuar këtë sepse interesi i Shqipërisë është që sot kjo të rivotohet, pikë dhe presje, pa asnjë ndryshim.
Ky është interesi i Shqipërisë.
Shqipëria kalon këtë reformë, falë këtij parlamenti dhe shkon në zgjedhje.
Opinioni i Venecias kërkohet post factum. Ligji ka kaluar, Kushtetuta është ndryshuar që në qershor, tani kërkohet që të ndalen të gjitha e të presin. Po çfarë do presim? Opinioni  i Venecias është i mirëseardhur gjithmonë kur të vijë, do të shohim të gjithë sëbashku dhe të hapim diskutim me të gjithë prapë nga e para, nëse do ketë nevojë për të hapur një diskutim, patjetër, por zgjedhjet e 25 prillit nuk presin më diskutime, këshilla politikë, këshilla të asnjë forme.
E me të drejtë e tha edhe zonja përpara, edhe Rudina mbrapa që je dëgjova që ju mezi po prisni që të fitoni, mezi po prisni që të vijë 25 prilli që të fitoni. Ju jeni të fituar të gjithë, d.m.th. unë nuk di ku do t’i gjejë kryetari i ardhshëm i parlamentit aq shumë karrige sa fitimtarë do jeni ju në 25 prill, se 100 mandate i merr Monika, sipas Monikës. Ja edhe 100 + 100 + 10 me aritmetikën e Lulit janë 240, i merr Luli, por nuk diskutohet ju të tjerët këtu, kështu që me siguri në 25 prill, ne Partia Socialiste nuk do kemi  vend dhe ju do jeni mbledhur të gjithë tek Pallati i Kongreseve për të hapur sesionin e ri.
Më vjen keq, por nuk di se si mund të trajtohet ndryshe kjo situatë, sa e qartë aq dhe e qesharakëzuar nga Ilir Meta. Kam vetëm një detyrim ndaj demokratëve, ndaj votuesve zgjedhësve demokratë. Ndaj atyre që kanë arsyet e tyre, nuk i hyj fare diskutimit që as mos ta konsiderojnë fare të votojnë për mua dhe për PS-në. Imagjinoni çfarë ju pret o demokratë, vetëm imagjinojeni për një moment. Do shkoni në zgjedhje si tek Vehbiu dhe te Sudja, jep 1 merr 2. Do jepni votën për Lulin dhe do keni mbrapsht edhe  2 të tjerë se aritmetika e Lulit është “1 dhe 1 bëjnë 3”. Pra është Luli, është Iliri është dhe Monika. Se Saliu është tek ajo kërraba e njëshit, që është Luli vetë. Luli është tek këmba e njëshit. Kjo është ajo që do t’ju ndodhi. Kjo është gjëja që ju duhet të keni në mendje. Çfarë po ju pret në 25 prill në gjithë këtë fitore të madhe është diçka që realisht unë kam detyrimin t’jua them demokratëve. Gjejeni mirë se si do ta zgjidhini këtë dilemë, nëse e keni. Nëse nuk e keni atëherë do e shikoni mbrapa siç e keni parë dhe më parë se çfarë vjen kur PD bëhet bashkë me LSI-në.
Faleminderit!
Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politike

Idrizi publikon dokumentin: Hidrauliku Fredi Beleri, i dënuar me 3 vite burg për…

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi i ftuar në nje emision  ku u fol për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, publikoi dokumentin kur kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri pranonte se ishte dënuar me 3 vite burg për poshtërim të Republikës së Shqipërisë.

Dokumentin që paraqiti, Idrizi u shpreh se e kishte marrë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku vetë Beleri ka shkruar se ishte dënuar me 3 vite burg për poshtërim të republikës por nuk kishte bërë asnjë ditë burg.

“Tetë muaj para zgjedhjeve lokale u dëgjua që mund të isht Fredi Beleri kandidat për bashkinë e Himarës. Kam reaguar nga të parët sepse më bëri përshtypje që një njeri me kaq ngarkesa për ne për shkak të rekordeve të tij.

Një njeri që në deklarimin e tij në KQZ thoshte se është i dënuar me 3 vite me vendim të formës së prerë për poshtërim të republikës dhe simboleve të saj. Po të doni ua tregoj. (Nxjerr dokumentin). Ja ku e keni formularin e firmosur nga vetë Beleri. Po flasim për një njeri i cili është i dënuar nga gjykata e Apelit për poshtërim të Republikës e simboleve të saj dhe thirrje e urrejtje nacionale”– u shpreh Idrizi.

Gjithashtu, kreu i PDIU shton se në deklarim Beleri ka pranuar se është dënuar për armëmbajtje pa leje lidhur me masakrën e Peshkëpisë dhe se formimi i tij më i mirë është hidraulik.

“E kam marrë nga KQZ këtë, formimi im më i mirë është hidraulik shkruan. Është i dënuar për armëmbajtje pa leje për akuzën për masakrën e Peshkëpisë”– shtoi më tej Idrizi.

Fredi Beleri u dënua me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme nën akuzën e shitblerjes së votës për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku dy ditë para mbajtjes së tyre, u kap në flagrancë duke i ofruar një qytetari në Himarë 40 mijë lekë në këmbim të 8 votave.
Continue Reading

Politike

Ballkoni i fundit anti-amerikan, Haklaj në studio: Rithemelimi nuk ka kauzë, i servilosen Berishës

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Azgan Haklaj foli për zhvillimet e fundit nga kampi opozitar. Haklaj u ndal edhe tek letra e deputetit Agron Gjekmarkaj drejtuar Gjykatës së Apelit, për të cilën Haklaj thotë se është presion i hapur.

‘I ka bërë presion gjykatës sepse jemi ne shumica dhe na takon ne. Gjykata ka hedhur shortin dhe vlerëson një dosje dhe do japin shpjegime shteruese. Kemi gjykim të thelluar dhe tashmë PD është pranuar palë. I gjithi dokumentacion u vulos nga dega 3 e PD-së në Tiranë. Gjekmarkaj është keqpërdorur dhe tani zgjidhet tek Rithemelimi, që është zgjedhje nul. Përpiqen të imponohen se janë shumicë dhe i bëjnë presion. E provuan shumicën në Dibër. Ishin në një kohë edhe Rithemelimi edhe PD-ja. Ata ishin të ngujuar diku në një restorant dhe PD-ja ishte në pallatin e Kulturës. Gjekmarkaj, Tabaku e të tjerë shkuan në Amerika bënë nga një foto dhe mashtrojnë demokratët se jemi shumica. Edhe loja e Bardhit se sulmoi Olsi Ramën, është një lojë e ndërsjelltë.’

Sipas Haklaj, komisioni i dialogut në parlament mes PS dhe Rithemelimit është një marrëveshje për të kapur reformën zgjedhore dhe për të mos pranuar listat e hapura.

‘Komisioni i dialogut është një marrëveshje nuk është komision. PD ka depozituar në parlament draftin. PD ka kërkuar zbatimin e nenit të dytë të kushtetutës. PD kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, heqja e herësit, votimi i emigrantëve. Ky është problemi që kanë me Lulzim Bashën. Janë edhe 10 parti të tjera që këkrojnë ti bashkohen Harkut Euro-Atlantik të PD. Zoti Basha dje dha lajmin e madh të Kosovës por edhe për Ukrainën.’

Haklaj vijon më tej duke thënë se Rithemelimi nuk ka asnjë program, asnjë doktrinë ndryshe nga PD-ja zyrtare.

‘Berisha duke shpresuar se do kthehet në pelegrinazh, dështoi pastaj shpresoi se do bënte miting madhështor dhe këtu dështoi. Rithemelimi nuk ka kauzë, program , projekt. Kemi doktrinë ekonomike, politike, doktrinë kombëtare. Kemi platformë të gjerë të konsultuar me ekspertët më të mirë. Ata thonë se jemi shumicë, janë 40 deputetë që vazhdojnë shpresojë se kryetari do zgjedh deputetin kush i serviloset më shumë Berishës. Duan lista të mbyllura, duan kryetarokracinë. Janë gjithë këto drejtorë dhe zyrtarë nën akuzë nga SPAK. Berisha pati deklaruar se do ulet sërish me Ramën për ndryshimin e Kushtetutës. Janë dekriptuar skenarët e tyre. Melodramës i erdhi fundi. Kush i futi flakadanët në parlament, kush i futi bilbilat? Pasi ka pranuar, thuaji publikut se nuk ka asnjë argument.’

Sa i përket çështjes së non-gratas së Berishës, Haklaj thotë se gjyqi në Angli që ka hapur Berisha përdoret si argument dhe presion ndaj gjykatës këtu.

‘Gjyqi në Angli është argument. Për ti bërë presion Gjykatës së Apelit SPAK-ut. Ka prenotuar një nga kompanitë më të mëdha në Britani, një nga më të shtrenjtat. Halli është vula. Aleanca e Kullave, aleanca e çatisë. Është frymëmarrja për zotin Rama. Qëllimi i tyre ka qenë thjesht Komisioni i Reformës Zgjedhore. Sa është shumica?  A po i sheh takimet? Nuk janë shumicë 40 deputetë. Pse nuk bëjnë miting madhështor tek rrugica e Madalenës. Është ballkoni i fundit anti-amerikan. Është e pafalshme.’

Azgan Haklaj deklaroi edhe  se pronari i spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu është ortak me Shkëlzen Berishën.

Sipas tij, Rithemelimi nuk kërkoi komision për koncesionet që lidhen me Spitalin Amerikan, për këtë arsye. Sipas tij, emri i kompanisë përdoret thjesht për të mashtruar publikun.

‘Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën. Mbajtën check up dhe sterilizimin, ça hetimi do ti bëjnë, ato janë në gjyq. Janë mashtrime.

Emrat i ka përdorur për të mashtruar publikun. SPAK t’i shkojë deri në fund drejtësisë.’

Continue Reading

Politike

‘I poshtër, i pamoralshëm’/ Bardhi ‘nxjerr nga binarët’ Baton Haxhiun

Gazment Bardhit ka folur dje për përfshirjen e Olsi Ramës për laboratorin e drogës në Xibrakë. Gjatë diskutimeve ka pasur debate me tone të forta ndaj Bardhit dhe analistit Baton Haxhiu, të dy të ftuar në Opinion.

Haxhiu ka akuzuar Bardhin se nuk ka moral dhe duhet të largohet nga politika. Bardhi i është kundërpërgjigjur analistit duke u shprehur se Haxhiu është “avokat pa pagesë” i çdo afere dhe krimineli të kryeministrit Edi Rama.

Baton Haxhiu: Posaçërisht me ty e kam për arsye se unë në këtë emision kam ardhur për të debatuar politikisht e jo me çështjet e shoë-t prokurorial në studio. Ka pasur konferencë për shtyp, i ka pasur minutat e veta dhe jo unë të dëgjoj një rrëfim kriminalistik filmi të një personazhi politik.

Gazment Bardhi: Dokumenta mo Baton, ku e pe filmin ti.

Baton Haxhiu: Kam problemin me moralin e dy personave, ai i cili ka shkruar dhe ky që është në studio. E para si mund të funksionojnë dy njerëz etikisht…

Gazment Bardhi: Siç funksionon ti me Edi Ramën.

Baton Haxhiu: A bën me u ndal ndonjë herë?

Gazment Bardhi: Tani për moralin e Sali Berishës kemi ardhur këtu ne? Jo o Fevzi se më ke ftuar për Olsi Ramën tani.

Blendi Fevziu: Ai ka të drejtën e fjalës së vet.

Gazment Bardhi: Jo, nuk e devijon dot emisionin me fjalën e vet. A kemi një temë ne? Ai mund të flasë për hënën, unë nuk kam ardhur të dëgjoj përrallat e Batonit për hënën.

Blendi Fevziu: Baton vazhdo.

Gazment Bardhi: Kjo është të ftosh në studio të flasësh për Sali Berishën.

Baton Haxhiu: Me ty do merrem.

Gazment Bardhi: Do merremi me Olsin.

Baton Haxhiu: Problemin e kam me moralin politik tëndin.

Gazment Bardhi: Nuk kam asnjë problem. Për sot kemi ardhur për Olsin. Jo për pasionet e Olsit, por për përfshirjen e Olsit në trafik droge.

Baton Haxhiu: Kam problem me etikën e paraqitjes.

Gazment Bardhi: Ku ka mungesë më etike sesa të vijmë të flasim për dokumente shtetërore të përfshirjes së vëllait të kryeministrit në trafik droge dhe ti të flasësh për Sali Berishën? Pra vazhdon akoma me teorinë “fajin e ka Sali Berisha”.

Baton Haxhiu: Po flet për të pavërtetën.

Gazment Bardhi: Cila është e pavërteta?

Baton Haxhiu: Duke më thënë që ti ke mbrojtur kriminelët dhe ti ke folur për personin e Shkodrës. Nëse unë kam folur ndonjëherë unë nuk vij në studio, por nëse jo ky duhet ta lëshojë politikën.

Gazment Bardhi: Ti je avokati më i zellshëm i kriminelëve të Edi Ramës. Të mos bëjmë teatër, ti je dëshmitar, është avokati i të gjithë kriminelëve të Edi Ramës të prekur nga ligji i dekriminalizimit, avokati i çdo afere korruptive të Edi Ramës nga njëra studio në studio në 10 vite dhe është padiskutim mbrojtësi i çdo zullumi të Edi Ramës, ky është fakt i pamohueshëm.

Baton Haxhiu: Ky qenka edhe i poshtër, i pamoralshëm.

Gazment Bardhi: Më thuaj një aferë të Edi Ramës ku nuk ke luajtur rolin e avokatit pa pagesë.

Baton Haxhiu: Ky qenka edhe i poshtër. Nuk kam pasur fjalën i poshtër.

Blendi Fevziu: S’e ke përdorur kurrë?

Baton Haxhiu: Kurrë asnjëherë.

Blendi Fevziu: Fjalën i poshtër nuk e ka thënë asnjëherë tha, e tha për ty.

Gazment Bardhi: E vërteta dhemb o Fevzi. Sidomos kur bëhen gati miqtë edhe shokët që i njeh pasionet të shkojnë në burg.

Baton Haxhiu: Besimi i publikut duhet me referencë. Cila është referenca e këtij njeriu? Ky një vit më herët ka folur për ‘babën e Zenit’ i cili e mbron me një mesazh për emisionin. Paramendoje ‘baba i Zenit’ ka qenë togfjalëshi i këtij njeriu.

Gazment Bardhi: A e ndryshon kjo fatin e Olsi Ramës?

Baton Haxhiu: A e kujtoni këtë njeri nga Elbasani? A e di çfarë ka thënë? Ky njeri që është politikani i tashëm i udhëheqjes së partisë së rithemelimit, në Elbasan ka thënë do vdesin të gjithë sikur ky. Paramendoni moralin politik të këtij njeriu.

Gazment Bardhi: Kjo është një gënjeshtër, është një shpifje.

Baton Haxhiu: Më ço në gjykatë.

Gazment Bardhi: Do të të çoj unë në gjykatë. Sikundër do të shkosh në gjykatë për të mbrojtur Olsi Ramën dhe jo të vish në studio të bësh avokatin e Olsi Ramës.

Baton Haxhiu: Nëse ky njeri vërteton që Olsi Rama është fajtor do dal publikisht në përkrahje të këtij njeriu për të vërtetën e tij, po nuk e vërtetoi le të ikë nga politika për arsye se nuk ka moral politik që të qëndrojë. Njeriu që nuk ka etikë të prezencës duke gënjyer para sysh duke mos pasur memorie dhe del këtu për të përfaqësuar rithemelimin. Ik! Ik! Nuk mundet të flasë ky më. Nuk ka moral.

Gazment Bardhi: Nga nervozizmi i Batonit…

Baton Haxhiu: Nuk jam fare nervoz!

Gazment Bardhi: Nga fakti që portali i Batonit dhe çdo media e kontrolluar nga PS ky denoncim i sotëm nuk është pasqyruar tregon që kanë arsye për tu dridhur siç u drodh Batoni pa nxjerrë asnjë moment nga goja fjalën Olsi Rama.

Continue Reading

Politike

Sali Berisha kërkon përjashtimin e Shqipërisë nga NATO

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka marrë pjesë nëpërmjet një lidhje live, pasi ndodhet në arrest shtëpiak, në aktivitetin dedikuar 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Ai u shpreh se Shqipëria nuk plotëson kriteret politike të jetë anëtare e aleancës së NATO-s.

“Duhet të them dy fjalë përsëri. Gjatë këtyre 10 viteve, sigurisht ka një bashkëpunim të qartë mes Shqipërisë dhe NATO-s. Dhe Shqipëria duhet të përmbushë çdo detyrim, pasi la detyrimet që kishte për buxhetin 2 përqind. E reduktoi buxhetin e mbrojtjes në shifra qesharake. Bazat e ushtrisë u bënë pre e mafies më të rrezikshme të Europës.

Për dijeninë tuaj, ata që nisën përgatitjen për bazën e Kuçovës, u arrestuan pa asnjë motiv nga rilindësit sapo erdhën në pushtet. Dhe në një akt tjetër të turpshëm, Edi Rama urdhëroi zhdukjen nga të gjitha institucionet e flamurit të NATO-s, vetëm e vetëm se kjo ishte një arritje e paraardhësve të tij. Sot, mendoj se në rrafshin politik, Shqipëria nuk plotëson më kriterët politike për të qenë anëtarë e kësaj aleance.

Si në asnjë vend tjetër të aleancës dhe në kundërshtim flagrant me parimet më themelore të një shoqërie të lirë, sot të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e një njeriu.

Sot, 93 përqind, 95 përqind e të gjithë zyrtarëve të lartë të emëruar dhe të zgjedhur, i përkasin partisë shtet dhe ky model nuk ka asgjë të përbashkët me modelin politik të anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Sot njeriu që ka përqendruar të gjitha pushtetet, përdor sistemin gjyqësor për grusht shteti kundër parlamentit, për të marrë pushtetet e parlamentit.

Sot shkelmohen parimet universale të prezumimit të pafajësisë, të garantimit të ndarjes së pushteteve, ndaj dhe kjo forcë politike që realizoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e ka detyrë jetike vendimtare, në një kthesë të re historike, të rivendosë në Shqipëri, pluralizmin demokratik, ndarjen dhe balancën e pushteteve në përputhje me Kushtetutën.

Të vendosë kushtetutshmërinë si shtyllë qendrore të një rendi demokratik. Dhe unë kam bindjen se ky përvjetor do jetë për ne, një përvjetor frymëzues për përmbushjen e objektivave të reja tona. Edhe njëherë ju falënderoj shumë dhe ju uroj këtë ditë”, tha Berisha.

Continue Reading

Politike

“S’dimë asgjë për Reformën Zgjedhore”, Dashnor Sula: Vetëm kallashi mungon në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është shprehur se rregullorja e Kuvendit është kthyer në një problem të madh.

Komentet Sula i bëri në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ku tha se në Kuvend vetëm armët e zjarrit nuk lejohen, pasi sipas tij, çdo gjë tjetër është e lejuar.

Ai tha gjithashtu se Rithemelimi nuk ka paraqitur asnjë artikulim publik për Reformën Zgjedhore, duke shtuar se kryedemokrati Lulzim Basha i ka bërë propozimet e tij lidhur me këtë çështje.

“Unë kam qenë anëtar i Komisionit të Ligjeve në atë kohë dhe kur kujtoja veten dhe kolegët e mi që rrinim aty dhe ajo reformë nëse ju kujtohet, pas një ngjarjeje të fortë që ndodhi në 15 mars dhe u bë në 21 prill ajo marrëveshje dhe brenda 2-3 javëve ka përfunduar i gjithë kodi zgjedhor. Koha kur duhet e gjejmë.

Unë kam qenë anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore për 2 vite, nga shkurti i 2022, deri në mars të 2024, kur vdiq. Çfarë bëri ai Komision? Kishim një vendim të Kushtetueses për votën e emigrantëve. Pse nuk u bë? Për hir të së vërtetës ti japim çfarë i takon Bashës. Ai është përgjegjës që e ka sjellë PD në këtë gjendje.

Por ka propozuar lista të hapura, votën e emigrantëve, Shqipëria një zonë elektorale, votim dhe numërim elektronik. Qoftë PS apo edhe pjesa tjetër e opozitës ku jam edhe unë nuk kemi artikuluar asgjë. Pavarësisht se shumicën e Komisionit të Ligjeve e ka PS dhe mazhoranca, do të ketë një diskutim më të pakët aty, ndërsa në Komisionin e Reformës Zgjedhore kishim më shumë hapsirë. Kemi humbur dy gjëra shumë thelbësore që nuk i përmendi opozita.

Rregullorja e Kuvendit që është bërë kod penal. Vetëm Kallashi mungon aty që nuk parashikohet, 12.7-shi. Dhe të gjitha armët e tjera parashikohen në rregullore dhe i ndërpritet mandati deputetit 60 ditë, që as organet e drejtësisë nuk e bëjnë një gjë të tillë. Dhe më tmerruesja janë Komisionet Hetimore, që u shkatërrua baza, themeli dhe do të japë efekte shumë negative”, tha Sula.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING