Aktualitet
‘Do ta këpus qafën’, të afërmit rrahin mjeken (DINAMIKA)
Zbulohet shkaku i dhunimit të mjekes në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, për të cilën u vendosën në pranga 2 persona. Por ajo që është më e rëndë, është se dhunimi i mjekes ka penguar kujdesin për pacientin që humbi jetën. Sipas “OraNews“, bluzat e bardha kanë qenë duke i bërë masazh kardiak në momentin që dy të afërmit e viktimës, Igli Spahija dhe Bledar Bali hynë në dhomë dhe u konfrontuan me mjekët. Policët e mbërritur në vendngjarje kanë dëshmuar se i kanë parë mjekët që po largoheshin të trembur pas dhunës dhe kërcënimeve ndaj tyre.
Sipas të njëjtave burime, konflikti mes familjarëve dhe mjekes së spitalit infektiv është bërë shkak të akuzave për lënien në harresë të pacientit që fatkeqësisht si pasojë e atakut kardiak. Rast për të cilin u dhunua mjekja Esi Duka. Kjo e fundit kishte njoftuar Spahinë, lidhur me gjendjen e vëllait të tij, e cila nuk ishte mirë, e pikërisht në këtë moment Spahia ka nisur ta kërcënojë mjeken në telefon me fjalët “do të vras, do të shkëly, do të këpus qafën”.
Mjekja e ka mbyllur telefonin dhe ka vijuar punën por pas pak, te salla e mjekimit kanë shkuar Igli Spahija dhe Bledar Bali. Me të hyrë në dhomë, ata kanë thyer dyert, kanë përplasur sende, i janë afruar doktoreshës Esi Duka, të cilën Igli e ka qëlluar me grusht dhe e ka përplasur në mur, por edhe Bali ka tentuar që ta dhunojë. Në një moment, mjekja është larguar duke njoftuar më pas Policinë.
Por edhe më ndërhyrjen e uniformave blu, situata ka qenë e tensionuar. Kur efektivët kanë shkuar në katin e tretë, në drejtim të tyre kanë ardhur dy persona duke i shtyrë, fyer dhe kërcënuar. Sipas deklarimeve të Bledar Balit gjatë kohës që ata janë futur në dhomë kanë parë dy mjekët që po i bënin masazh kardiak pacientit që ishte pa shenja jete. Të tronditur ata janë afruar dhe orvatur të ndihmojnë pacientin, por i ka kapur ankthi dhe paniku dhe janë larguar.
Nga ana tjetër, Igli Spahia ka thënë në dëshminë e tij se ka shkuar tek Infektivi dhe ka kërkuar mjeken, por në dhomën e vëllait ka parë dy mjekë që po i bënin Afrimit mesazh kardiak, ndërkohë që ai dukej pa shenja jete. Në pretendimet e tij, ai shton se trajtimi i pacientit nga mjekët nuk ka qenë korrekt, pasi e kanë neglizhuar duke i shkaktuar vdekjen. Megjithatë të dy janë në pranga për dhunimin e bluzave të bardha.