Bota
“Do ta marrim Groenlandën në një mënyrë ose në një tjetër!”/ Trump: Përndryshe do ta bëjnë Rusia ose Kina
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti dje, se Shtetet e Bashkuara do ta marrin Groenlandën në një mënyrë ose në një tjetër, sepse”nëse nuk e marrim ne, do ta bëjnë Rusia ose Kina.
“Arritja e një marrëveshjeje është pjesa e lehtë, por në një mënyrë ose në një tjetër do ta kemi Groenlandën”, tha presidenti i SHBA-së nga Air Force One. Mediat e huaja shkruajnë se, presidenti amerikan sqaroi se Uashingtoni nuk po flet për një qiradhënie afatshkurtër të Groenlandës, por vetëm për blerjen e këtij territori danez.
“Na duhet një akt pronësie. Grenlanda duhet ta pranojë marrëveshjen, sepse Grenlanda nuk dëshiron ta shohë Rusinë ose Kinën të marrë kontrollin. Në thelb, mbrojtja e tyre bazohet në dy saja me qen. E dini këtë? E dini se çfarë janë mbrojtjet e tyre? Dy saja me qen. Ndërkohë, ne shohim shkatërrues dhe nëndetëse ruse, dhe shkatërrues dhe nëndetëse kineze kudo”, tha Donald Trump.
“Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë, dhe nëse kjo ndikon në NATO , le të jetë kështu. Por, e dini, ata kanë nevojë për ne më shumë sesa ne kemi nevojë për ta, mund t’ju them këtë”, komentoi ai. Danimarka , e cila zotëron Groenlandën, është anëtare e NATO-s ashtu si Shtetet e Bashkuara, dhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha javën e kaluar se një sulm i SHBA-së ndaj çdo anëtari të Aleancës do të thoshte fundi i gjithçkaje, përfshirë NATO-n dhe sistemin e sigurisë të krijuar në fund të Luftës së Dytë Botërore.