Politike
“Do të jenë piketat në rrugën drejt BE”, Rama paralajmëron: Reformë e re ligjore të kontrollit…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X, duke theksuar se qeveria ka nisur punën për një reformë të thellë ligjore që synon të kontrollojë zhvillimin dhe përdorimin e territorit në vend. Kjo reformë vjen në vazhdën e aksionit të ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme në disa qytete të Shqipërisë.
Në postimin e tij, Rama theksoi se toleranca ndaj tokave të zëna dhe lejeve të dhëna në shkelje, në dëm të komunitetit dhe qytetit, nuk do të vazhdojë më. Sipas tij, shumë prej strukturave të qeverisjes vendore, përfshirë inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake, janë bërë “pjesë e problemit” në vend që të jenë pjesë e zgjidhjes.
Krahas kësaj reforme, Kryeministri paralajmëroi edhe nisjen e reformave të reja në sektorët jetikë si: furnizimi me ujë të pijshëm, përpunimi i mbetjeve, shpërndarja e naftës dhe barnave, si dhe përmirësimi i shërbimeve spitalore.
Këto masa, theksoi ai, do të jenë bazë për realizimin e objektivave të mandatit të katërt të qeverisë, në kuadër të synimit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Postimi i plotë:
Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian

