Politike
“Do të kthejmë paratë sërish te qytetarët”, Berisha: Nuk do i marrë më Lubi Balluku…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur programin e tij elektoral në Pallatin e Kongreseve, duke premtuar përparësi në ringritjen e arsimit dhe shëndetësisë, ndërsa ka shpërthyer në kritika të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe abuzimeve që ndodhin brenda administratës.
Në fjalën e tij, Berisha ka theksuar rëndësinë e arsimit dhe shëndetësisë, duke premtuar dyfishimin e buxhetit për këto sektorë dhe një rritje të konsiderueshme të pagave për mësuesit. Ai ka theksuar se rrogat e mësuesve do të jenë disa herë më të larta se sa ato aktuale, duke garantuar një minimum prej 1500 eurosh për çdo mësues në Shqipëri. Po ashtu, Berisha ka premtuar që teknologjia do të bëhet pjesë e çdo shkolle dhe studentët shqiptarë do të jenë konkurrues me ata të moshës së tyre në botë.
Një tjetër kritikë e ashpër nga Berisha ka qenë për zv/kryeministren, Belinda Balluku, dhe keqmenaxhimin e fondeve të shtetit. Ai ka denoncuar faktin se Balluku ka shpenzuar 10 mijë euro në muaj për pastrimin e makinës së saj, ndërsa Shqipëria po përballet me varfëri ekstreme dhe nevoja të mëdha për përkujdesje sociale.
Berisha ka theksuar se ndërtimi i rrugëve dhe projekteve infrastrukturore nga qeveria Rama është bërë me çmim 10 herë më të lartë se në vendet e rajonit, duke i dhënë një goditje Ballukut për keqpërdorimin e buxhetit shtetëror.
“Ne nuk do të lejojmë që paratë e popullit të shpenzohen për luksin e disa individëve,” tha Berisha. “Këto para do të kthehen pas tek ju me shërbime dhe mundësi për një jetë më të mirë për çdo shqiptar.”
Në përfundim, Berisha ka garantuar se një qeveri e ardhshme e Partisë Demokratike do të përjashtojë varfërinë ekstreme dhe do të ofrojë një minimum jetik prej 200 eurosh për të gjithë qytetarët në nevojë. Ai ka premtuar gjithashtu mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet dhe pensionistët, duke garantuar që askush nuk do të mbetet pas, pasi qeveria e PD-së do të jetë një qeveri për popullin, jo për interesat e ngushta.

