Kosova
‘Do të thyhet koka ty…’/ Letra që politikani famëkeq serb i dërgoi deputetes së Kosovës
Të hënën është publikuar një pjesë e përgjimit në të cilën është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Lila në këto përgjime dëgjohet teksa bisedon në zyrën e saj në Kuvendin e Kosovës me zyrtarin e lartë të Listës Serbe, Slavko Simic. Në pjesën e parë që është publikuar dje, Simiç në bisedë e sipër me Kusari-Lilën thotë se vetë Lila ka biseduar 30-40 minuta me Milan Radojiçiçin. Shefja e GP të VV-së e mohon, duke thënë se kanë folur vetëm 2-3 minuta.
Sot “Nacionale” ka publikuar edhe pjesën e dytë të përgjimit, në të cilën Slavko Simiç thotë se Kusari-Lila ka komunikuar me Milan Radojiçiç katër apo pesë herë në telefon.
Siç dëgjohet Simic, Kusari-Lila dhe Milan Radojiçiç kanë komunikuar për çështjen e rrymës në veri të vendit, gjë të cilën e konfirmon edhe vetë Kusari-Lila duke thënë “po për rrymën në veri”.
Simiç në këtë bisedë i thotë Kusari-Lilës se po të dilte dhe të fliste në publik për komunikimin që kanë pasur bashkë, do “t’i thyhej koka edhe ty edhe Vetëvendosjes”, teksa e pason këtë me informacionin se Kusari-Lila ka biseduar me Radojiçiçin pesë herë në telefon.
Kusari-Lila vetëm vazhdon dhe e dëgjon Simiçin teksa flet, dhe s’e bën asnjë reagim. Gjithashtu Simiç flet për marrëveshjen që kanë pasur me Kusari-Lilën sa i përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe ia rikujton se ajo marrëveshje ka dështuar si rezultat i Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas këtyre bisedave, Kusari-Lila insiston vetëm tek ajo se “çfarë do të bëjmë për ligjet”.
Biseda mes tyre vazhdon për Milan Radojiçiçin dhe sanksionimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Slavko Simiç pretendon se Radojiçiç është në listë të zezë të SHBA-së, ndërsa Kusari-Lila i thotë se “qartazi Radojiçiç s’është i pastër për amerikanët”.
“E di Sllavko,.. po qartë nuk janë të pastër për amerikanët”, dëgjohet teksa thotë Kusari-Lila.
Kusari-Lila pas bisedës për Radojiçiçin, insiston përsëri në atë se çfarë do të bëhet të mërkurën.
Në fund të kësaj pjese të dy të përgjimeve, Slavko Simiç i lexon Kusari-Lilës edhe një letër që Milan Radojiçiç i ka dërguar asaj, për shkak të një deklarate të dhënë, ku Kusari-Lila kishte deklaruar se Lista Serbe kontrollohet nga PDK-ja.
Radojiçiç siç e citon Sllavko Simiç thotë se PDK-ja i ka shkaktuar shumë probleme në jetë dhe thotë se do të përballet me PDK-në sa të jetë gjallë. Radojiçiç, sipas letrës, thotë se PDK-ja asnjëherë në jetë s’mund t’i japë urdhra.
Në ketë letër, gjithmonë siç dëgjohet në këtë përgjim, Radojiçiç shpreh indinjatën e tij me Mimoza Kusari-Lilën se i ka thënë disa gjëra në media disa gjëra që ka folur me Sllavko Simiçin e të cilat do të duhej të “mbesin mes nesh”.
Sipas mesazhit të cilin e lexon Simiç, Radojiçiç përmend një komunikim direkt që ka pasur me Mimoza Kusari-Lilën, por i thotë se nuk e publikon meqë “është njeri në rend të parë”.