Kronike
‘Do të tregoj atë që kam vuajtur’/ Zbardhen bisedat e viktimës Etleva Bodi më bashkëshortin që e vrau

Autoritet italiane kërkojnë burgim për shqiptarin, Selami Bodi i cili vrau në tetor të vitit 2023 bashkëshorten e tij Etleva Bodi. Ngjarja e rëndë ndodhi në Savona të Italisë, ndërsa çifti ishin prindër të katër fëmijëve të mitur. Mediat italiane bëjnë me dije se prokurori Giovanni Battista Ferro ka kërkuar burgim të përjetshëm për Bodin.
“Bodi duhet të shpallet përgjegjës për të gjitha faktet e regjistruara ndaj tij”, tha prokurori Ferro.
Gjatë hetimeve, policia zbuloi bisedat e çiftit falë analizave të celularëve dhe u provua se viktima kishte qenë pre e dhunës edhe në të shkuarën. Mësohet se Etleva i kishte dërguar me mesazh Bodit më 3-4 tetor 2023, 3 lidhje në tre video në YouTube në gjuhën shqipe me lutje dhe monologje që fokusoheshin tek “si të jesh burrë i mirë në fenë myslimane, të respektosh gruan e të mos e poshtërosh” dhe për “si ta trajtoni mirë gruan tuaj”.
Prokurori Publik është ndalur në disa mesazhe, në të cilat Etleva ka thënë “Unë do të tregoj atë që kam vuajtur, sepse më ke rrahur vazhdimisht”; “Më dërgove në spital dhe vazhdova të duroja”; “Më mirë të vdisja.”
Sipas asaj që doli në dëshmi gjatë fazës së gjykimit, ai e kishte mbajtur Etlevën larg familjes së saj dhe me radikalizimin islamik nuk i lejonte praktikisht asgjë edhe për sa i përket mënyrës së veshjes (për dy vjet që kishte nuk ishte në gjendje të përdorte celularin e saj). Pas konkluzioneve të prokurorit Ferro, ndërhynë avokatët mbrojtës të Selami Bodit, të cilët kërkuan rrethana lehtësuese.
Si ndodhi ngjarja?
Gruaja ndodhej në dhomën e saj dhe po fliste në telefon. I shoqi e kishte dëgjuar duke folur, hapi derën dhe i vuri duart në fyt duke u përpjekur ta mbyste. Më pas, kur kuptoi se 31-vjeçarja nuk merrte më frymë, ai vetë bëri thirrje për ndihmë. Katër fëmijët e çiftit, të moshës nga 5 deri në 11 vjeç, po flinin në dhomat e tyre. Pas mbi një orë përpjekje, punonjësit e shëndetësisë që kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje kanë arritur ta ringjallin gruan, por gjendja e saj ishte kritike. E transferuar në spital me kodin e kuq, zemra e saj pushoi së rrahuri pas 48 orësh. Bashkëshorti i viktimës, pa precedentë penalë, u transferua në burgun Marassi (Xhenova), i akuzuar për vrasje të rëndë për shkaqe të parëndësishme. Ai do të merret në pyetje në ditët në vijim.

