Kronike
Do vrisnin armikun e Kasandër Nogës, mbyllen hetimet për dy vëllezërit
Mbyllen hetimet për dy vëllezërit Indrit e Gentian Beqiraj. Ata do të përballen me gjykatën për akuzën e krijimit të kushteve për të kryer vrasjen e Geron Hasanbelliut. Sipas tyre vrasja do të kryhej për llogari të kundërshtarit të tij të përbetuar Kasandër Noga, një emër i njohur në botën e krimit dhe autor i masakrës së Sanatoriumit në vitin 2000. Dy vëllezërit do të paguheshin për këtë ngjarje.
Në dosjen e organit të akuzës thuhet se për të kryer ketë krim, ata fillimisht kanë bashkëpunuar me Alban Skonjën e Ilirjan Fecin. Vëllezërit kanë ndjekur lëvizjet e shënjestrës, por për arsye të ndryshme nuk kanë mundur që ta realizojnë krimin. Më pas Skonja dhe Feci janë tërhequr dhe në këtë grup është angazhuar Kevin Zeneli, i cili është personi që mbante kontakte dhe lidhje me Kasandër Nogën.
Gjatë rrëfimit të tyre para hetuesve dy vëllezërit kanë thënë se Noga kishte qëllim që të vriste edhe Arben Mërkurin nga Sukthi, i njohur me nofkën Maneci. Sipas dosjes hetimore, porosinë për krimet Kasandër Noga e bënte përmes Kevin Zenelit.
Gjatë vëzhgimeve të Geron Hasanbelliut, ata mësuan se ai jetonte në Tiranë, në zonën e Don Boskos. Të pandehurit kanë marrë një banesë me qira në këtë zonë në mënyrë që të kishin dijeni për të gjitha lëvizje e tij. Por në fund ata ngatërruan shënjestër dhe më 4 janar 2022 vranë gabimisht Erjon Çelën dhe plagosën disa të tjerë.
Por edhe pas ngjarjes së Don Boskos, vëllezërit Beqiraj vijuan vëzhgimin e kundërshtarit të Kasandër Nogës. Ky i fundit është i arrestuar në Belgjikë, për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Mikel Rakipllari alias Erion Hasanbelliu, vëllait të Geron Hasanbelliut. Si ekzekutor në masakrën e Don Boskos, dyshohet Kevin Zeneli.
Vëllezërit Beqiraj kanë siguruar më pas lëndë plasëse për të bërë të mundur ekzekutimin e Geron Hasanbelliut. Eksplozivin ata e kanë blerë tek Idajet Hoxha, të cilin e kishin njohur përmes Pëllumb Hoxhës. Lënda plasëse sipas prokurorisë ishte siguruar në një minierë në Bulqizë.
Vëllezërit Indrit e Gentian Beqiraj u zbërthyen para hetuesve pasi ranë në pranga në tetor të 2022. Në atë kohë ata u morën peng për disa orë nga njerëzit e Aleksandër Lahos i njohur me nofkën Rrumi. Ata kishin marrë përsipër që të vëzhgonin lëvizjet e Lahos dhe më pas do të bënin ekzekutimin e tij.
Në dokumentet e prokurorisë thuhet se në celularin e Kasandër Nogës ka të dhëna me interes edhe për ngjarje të tjera të ndodhura në Shqipëri. Për këtë arsye drejtësia jonë kanë nisur letërporosi drejt autoriteteve belge. E për këtë rast prokuroria ka ndarë një tjetër procedim penal.