Connect with us

Kosova

“Do zgjidhet me kanun!” Dhunuan për vdekje 18-vjeçarin, xhaxhai i jep 1 muaj besë familjarëve të autorëve

Familja e Lulzim Fejzullahu, 18-vjeçarit që u dhunua për vdekje në Podujevë të Kosovës, ka vendosur të ndjekë “Kanunin”. Imami nga Podujeva, Bekim Jashari, ka njoftuar se xhaxhai i 18-vjeçarit i ka dhënë 1 muaj besë familjes së dhunuesit. Dhënia e besës në Kanun do të thotë se familjet e autorëve do të jenë të sigurta për 1 muaj nga gjakmarrja dhe kanë mundësinë të largohen, por pasi ky afat të kalojë familja e viktimës do të hakmerret për jetën e humbur të 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu.

“Rrahim Fejzullahu, mixha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu, e nderoj Zotin e Kombin tonë me dhënie të besës ( Një muaj nga sot ) për familjen e dorasit. Zoti e mëshiroftë Lulin, e bekoftë familjen e madhe të Rrahimit”, ka shkruar Jashari.

Lulzim Fejzullahu është dhunuar brutalisht më 14 janar 2024 në Podujevë rreth orës 13:00. Sipas raportit policor, ai fillimisht kishte marrë trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Inspektorati Policor i Kosovës ka dalë mbrëmë me një komunikatë për media duke njoftuar për hetimin që ka filluar për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit pas shqetësimeve të ngritura në opinion lidhur me mënyrën se si ishte raportuar ky incident në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Advertisement