Connect with us

Kosova

Dokrrat ballkanike sjellin luftë/ Eksperti akuzon politikën në Kosovë

Konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që filloi me sulmin terrorist të grupit militant palestinez dhe po vazhdon me kundërpërgjigjen e përgjakshme ushtarake izraelite në Gazë, ka shkaktuar polarizim global. Ky konflikt, sipas ekspertëve, po lë gjurmë edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor në aspektin e sigurisë dhe tek përdorimi në rritje i gjuhës së urrejtjes. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, eksperti Adrian Shtuni, që studion fenomenin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, paralajmëron se polarizimi social dhe politik që ekziston sot në shtetet e rajonit, i nxitur nga gjuha e urrejtjes, mund të përshkallëzojë situatën e brishtë veçanërisht në Kosovë.

“Ne e pamë, sulmi i Banjskës, ishte një sulm që shkon përtej terrorizmit, ishte një sulm paramilitar me qëllim destabilizimin e Kosovës, jo vetëm në veri, por që ka edhe një dimension rajonal, sepse ky destabilizim nuk mund të përmbahet thjesht në Kosovë nëse arrin të jetë i suksesshëm. Kemi një problem të jashtëzakonshëm me polarizimin brenda Kosovës por edhe të Bosnjës. Kemi polarizim social, një polarizim politik. E shikojmë në diskursin e përditshëm, kemi tendenca përplasjeje ndëretnike. Nuk ka qenë vetëm sulmi i Banjskës; ka pasur edhe incidente të tjera të shpeshta dhe kemi në një situatë të tillë, që është mjaft e tensionuar dhe mundet të kalojë shumë kollaj në përplasje fizike” – theksoi Shtuni

Sipas tij, sa më tepër kriza akute të sigurisë të jenë në botë, aq më shumë është e nevojshme që kriza midis Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet për shkak se vëmendja fatkeqësisht është e limituar, resurset janë të limituara dhe në qoftë se ka zjarre më të mëdha që janë duke u djegur, zjarret e vogla nuk do kenë nivel maksimal impenjimi, por që rrezikon shumë.

“Kemi një Ballkan mjaft të polarizuar. Po te hapim gazetat qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Serbi, qoftë në Bosnjë, kryefjala e titujve është luftë. Në qoftë se njerëzit hapin televizorin shikojnë luftë. Hapin gazetat lexojnë për luftë, luftë lokale, luftë brenda komuniteteve të tyre, ku nuk ka durim për debat, por ka vetëm sharje dhe kërcënime.

Në Kosovë nuk ka dialog midis palëve politike por vetëm krizë.Të gjitha këtyre, shtoji faktorët që vijnë nga jashtë, dhe rritet stresi, shtohet ankthi, shtohet edhe radikalizimin për shkak të polarizimit. Dhunë politike në Banjska, që ka qenë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe që akoma nuk është zgjidhur, sepse akoma dhe sot Radoiçiç dhe ata që e kanë kryer atë akt janë duke ecur të lirë, nuk janë përballur me asnjë lloj drejtësie. Kjo akoma më tepër na shqetëson sepse sjell edhe komponentin tjetër, që ka shtete dhe jo vetëm grupacione që janë të interesuar për destabilizim në rajon.

Advertisement