Connect with us

Shkrime

Doktrina ‘ktheje kokën nga ana tjetër’ dhe ‘s’është puna ime’ e Donald Trump në Gaza

Nga Richard N. Haass

Administrata e dytë e presidentit amerikan, Donald Trump, ka mbushur vetëm katër muaj në detyrë, por që tani ka shenja të një doktrine politike të jashtme në zhvillim. Dhe si shumë gjëra të tjera në lidhje me presidencën e tij, ajo përfaqëson një shkëputje të habitshme nga e kaluara.

Doktrinat luajnë një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme amerikane. Me Doktrinën Monroe, të shpallur në vitin 1823, Shtetet e Bashkuara pohuan se do të ishin fuqia mbizotëruese në Hemisferën Perëndimore dhe nuk do të lejonin vendet e tjera të krijonin pozicione strategjike konkurruese në rajon. Në fillim të Luftës së Ftohtë, Doktrina Truman premtoi mbështetjen e SHBA-së për vendet që luftonin komunizmin dhe përmbysjen e mbështetur nga sovjetikët.

Kohët e fundit, Doktrina Carter sinjalizoi se SHBA-ja nuk do të qëndronte duarkryq nëse një forcë e jashtme donte të fitonte kontrollin e rajonit të pasur me naftë të Gjirit Persik. Doktrina Reagan premtoi ndihmë për forcat dhe vendet antikomuniste dhe antisovjetike. Doktrina e Lirisë e George W. Bush, ndër të tjera, e bëri të qartë se as terroristët dhe as ata që i strehonin ata nuk do të ishin të sigurt nga sulmi.

Ajo që këto dhe doktrina të tjera kanë të përbashkët është se ato u sinjalizojnë audiencave të shumta interesat kritike të SHBA-së dhe atë që SHBA-ja është e gatshme të bëjë për t’i çuar ato përpara. Doktrinat kanë për qëllim të sigurojnë miqtë dhe aleatët, të dekurajojnë armiqtë aktualë ose të mundshëm, të galvanizojnë burokracinë e ngarkuar me çështjet e sigurisë kombëtare dhe të edukojnë publikun.

Edhe pse asnjë Doktrinë Trump nuk është paraqitur në mënyrë të qartë, një e tillë ka filluar të shfaqet gjithsesi. Mund ta quani doktrina “ktheje kokën nga ana tjetër”, doktrina “mos shiko të keqen, mos dëgjo të keqen, mos fol të keqen” ose doktrina “s’është puna ime”.

Cilado qoftë etiketa, doktrina sinjalizon se SHBA-ja nuk do të përpiqet më të ndikojë ose të reagojë ndaj mënyrës se si vendet sillen brenda kufijve të tyre. Administrata nuk e ka kritikuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për arrestimin e kundërshtarit të tij kryesor politik, kryeministrin e Izraelit Binyamin Netanyahu për përpjekje të përsëritura për të dobësuar gjyqësorin e vendit, ose kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka minuar vazhdimisht institucionet demokratike në vendin e tij.

Ndërsa Trump ka nënçmuar politikën e jashtme të presidentit rus Vladimir Putin dhe politikën ekonomike të presidentit kinez Xi Jinping, ai nuk e ka ngritur çështjen e shtypjes së popujve të tyre nga asnjëri udhëheqës. Administrata Trump gjithashtu ka reduktuar ose shpërbërë shumë nga instrumentet, duke përfshirë Zërin e Amerikës, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar dhe National Endowment for Democracy, të përdorura prej kohësh për të promovuar shoqërinë civile dhe lëvizjet demokratike në të gjithë botën.

Më e afërta me një artikulim publik të doktrinës së re ndodhi në Arabinë Saudite më 13 maj. Trump foli me admirim për atë që e ai përshkroi si transformimin e madh të atij vendi, duke shtuar se “nuk ka ardhur nga ndërhyrësit perëndimorë … që ju mbajnë leksione se si të jetoni dhe si të qeverisni punët tuaja … Në vitet e fundit, shumë presidentë amerikanë janë prekur nga ideja se është detyra jonë të shohim shpirtrat e udhëheqësve të huaj dhe të përdorim politikën amerikane për të vënë drejtësi për mëkatet e tyre”.

Veprimet e Trump, mbi të gjitha kërkimi nga ana e tij e marrëveshjeve të biznesit me qeveritë autoritare në Gjirin Persik dhe shumë më gjerë, nënvizojnë rëndësinë e këtyre fjalëve. Ndryshe nga Reagan, Carter, Bush, Barack Obama dhe Joe Biden, Trump e ka bërë të qartë se SHBA-ja nuk ka interes të mbrojë të drejtat e njeriut dhe demokracinë, të flasë kundër abuzimeve autoritare dhe të bëjë presion për lirimin e disidentëve politikë.

Sigurisht, doktrina “ktheje kokën në anën tjetër” shmang llojin e teprimeve që karakterizoi presidencën e Bush-it, kur zelli për përhapjen e demokracisë çoi në pushtimin e kushtueshëm dhe të pamenduar të Irakut. Gjithashtu, kjo e bën më të lehtë që SHBA-ja të punojë në mënyrë konstruktive me qeveritë që zbatojnë politika të brendshme që normalisht do të përbënin pengesë për lidhjet tregtare ose bashkëpunimin në çështje kritike dypalëshe, rajonale ose globale.

Por anët negative të qasjes së re i kompensojnë këto konsiderata. Doktrina Trump rrit shanset që qeveritë e interesuara të dyfishojnë shtypjen e brendshme dhe përpjekjet për të përmbysur demokracinë – një formë qeverisjeje që shpesh shoqërohet jo vetëm me liri më të madhe personale, por edhe me tregje të lira të mbështetura nga sundimi i ligjit dhe një politikë e jashtme më pak agresive. Kështu, promovimi i demokracisë u sjell dobi investitorëve amerikanë dhe kufizon rrezikun që Amerika të përfshihet në konflikte të huaja të kushtueshme ose të zgjatura.

Doktrina Trump gjithashtu e distancon SHBA-në nga shumë prej miqve dhe aleatëve të saj tradicionalë, shumica e të cilëve, jo rastësisht, janë demokraci. Një largim i tillë nuk e favorizon ndikimin amerikan.

Megjithatë, aftësia e SHBA-së për të zhvilluar një politikë të jashtme që mbështet lirinë jashtë vendit varet në një pjesë jo të vogël nga gatishmëria e saj për të praktikuar atë që predikon. Asnjë vend nuk mund të flasë pa vepruar dhe shkelja nga administrata Trump e shumë normave dhe praktikave që mbështesin demokracinë do të minonte aftësinë e saj për ta promovuar atë gjetkë, nëse do ta dëshironte këtë gjë.

Asnjë doktrinë nuk është plotësisht konsistente – gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-ja shpesh mbështeti antikomunistët që vetëm demokratë nuk ishin – dhe doktrina Trump nuk bën përjashtim. Administrata e tij ka qenë kritike ndaj qeverive evropiane dhe e ka bërë të qartë preferencën e saj për forcat e ekstremit të djathtë, përfshirë nacionalistin Karol Nawrocki, i cili fitoi presidencën e Polonisë. Pavarësisht reduktimit të përfshirjes së Amerikës në politikën e jashtme, Trump ka zhvilluar gjithashtu një fushatë kundër Grenlandës dhe Kanadasë.

Por këto janë përjashtime. Qëllimi i Doktrinës Trump – të mos lejojë që sjellja antidemokratike të pengojë të bërit biznes – është i qartë.

Për një kohë të gjatë, SHBA-ja kërkoi të ndryshonte botën, duke bezdisur disa dhe duke frymëzuar të tjerë. Ato ditë kanë ikur, në disa mënyra për mirë, por kryesisht për keq. SHBA-ja ka ndryshuar. Ajo po fillon t’i ngjajë shumë vendeve dhe qeverive që dikur i kritikonte. Kjo është po aq tragjike sa është ironike.

Does the United States have a vocation as superpower? | U.S. | EL PAÍS English

Advertisement