Connect with us

Politike

DOKUMENTI/ Majko sfidoi Berishën: SHISH të japë çdo detaj mbi punën time si deputet

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ të Shtetit, ku i kërkon që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion që kanë lidhur me të dhe aktivitetin e tij. Shkresa vjen menjëherë pas akuzave publike që bëri kryedemokrati Sali Berisha. Në shkresë, Pandeli Majko shprehet se si deputet ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij si deputeti i Kuvendit.

Shkresa e Pandeli Majkos:

Akuzat e Berishës, Majko shkresë zyrtare SHISH: Më vini në

Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj. Me cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë si dhe në bazë të Ligjit nr.8550, datë 18.11.1999 “Për Statusin e Deputetit” e konkretisht të nenit 8 në të cilën thuhet se:

1. Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij, nga ministrat ose nga drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore, si dhe nga drejtuesit e çdo institucioni tjetër në administratën publike ose të qeverisjes vendore

2. Drejtuesit e institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni janë të detyruar t’i përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

3. Në rast shkeljeje të pikës 2 të këtij neni, njoftohet Kryeministri për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në rastet e enteve apo institucioneve të tjera qendrore, njoftohet organi prej të cilit ato janë zgjedhur.” lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim.

Dy ditë më parë, kryedemokrati Sali Berisha komentoi vendimin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të larguar si drejtues politik të Kukësit, Pandeli Majkon. Berisha pretendonte se Majko ishte kapur nga një përgjues i vendosur për të zbuluar “pazaret” e trafikantëve të armëve dhe drogërave, duke blerë vota. Sipas Berishës, përgjimi ishte bërë nga SHISH.

“Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës. Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty. Aty shkon dhe bie zoti Pandeli. Dhe aty, është shumë e vërtetë, dosja është edhe tek ata, është edhe tek unë, aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë. I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës. Oficeri, i cili ishte në detyrë për të hedhur në çark trafikantët, habitet. Përveç kësaj, në bisedë aty, përfaqësuesit e Hasit kërkojnë armë, sepse Miftar Dautin, thonë ata, nuk e mundim dot. Kandidatin tonë, është reale çdo gjë. Tani ky oficer, njeri i përgjegjshëm, njeri i ligjit, e merr regjistrimin, përgatit dosjen dhe shkon e dorëzon në Skap. Po, dokument zyrtar. Vlora që vodhi arkivën sekrete të shërbimit të Kosovës dhe e çoi aty ku e çoi, ajo e di, dyshime shumë të forta se e çoi në Beograd, refuzon ta presë oficerin. Dhe oficeri mbetet jashtë shërbimi, kishte kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrën dhe sot nuk e di ku është. Pra, ky është Majko. Majko shkoi përsëri në vendin e krimit, por duket se e kanë parë që atje nuk e pëlqejnë dhe e kanë sjellë në Tiranë, po sjell gjysmën e ministrave të tij në Tiranë se qytetarët e Tiranës kanë një revoltë të jashtëzakonshme me Lal Vjedhësin, njeriun më të shpifur që ka pasur ndonjëherë Tirana si kryetar bashkie,”-tha Berisha gjatë një konference për shtyp.

Por deklaratat e kryedemokratit u ironizuan nga socialisti, ndërsa dje, dorëzoi imunitetin e tij parlamentar.

Advertisement