Bota
Donald Trump lë çmenduritë mënjanë, heq dorë nga Presidenca Amerikane III

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka mohuar se po shqyrton mundësinë e kandidimit për një mandat të tretë presidencial. Një veprim ky, për të cilin ekspertët bien dakord se është i ndaluar sipas Kushtetutës së SHBA-ve.
“Do të jem president tetëvjeçar, do të jem president dy-mandatësh. Gjithmonë kam menduar se kjo ishte shumë e rëndësishme”, ka thënë Trump në emisionin Meet the Press with Kristen Welker të NBC-së. Trump ka thënë më parë se “nuk po bënte shaka” për dëshirën për të shërbyer një mandat të tretë, apo edhe të katërt, si president i SHBA-ve. Më vonë ai ka thënë se deklaratat e tij kishin për qëllim të tallnin “mediat e lajmeve të rreme”.
Kompania e tij ka shitur kapele me mbishkrimin Trump 2028, duke nxitur spekulime se ai mund të kërkojë të qëndrojë në detyrë pas përfundimit të mandatit të tij të dytë në janar 2029.
Në intervistë, të regjistruar nga rezidenca e tij në Florida, Trump ka thënë se ka pasur shumë “kërkesa” nga njerëz që i kërkojnë të marrë në konsideratë të kërkojë të qëndrojë në detyrë.
“Shumë njerëz duan që unë ta bëj këtë”, ka thënë Trump, vetëm disa ditë pasi festoi 100 ditët e para të mandatit të tij të dytë.
“Është diçka që, me sa di unë, nuk të lejohet ta bësh”.
Ai ka shtuar po ashtu se “ka shumë njerëz që shesin kapelën e vitit 2028”.
“Por kjo nuk është diçka që po kërkoj të bëj”, ka thënë ai, duke vazhduar të rendiste disa republikanë që mund të zënë vendin e tij, përfshirë Zëvendëspresidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.
“Mendoj se katër vjet është kohë e mjaftueshme për të bërë diçka vërtet spektakolare”.
Amendamenti i 22-të i Kushtetutës thotë se “asnjë person nuk mund të zgjidhet në detyrën e Presidentit më shumë se dy herë”.
Ndryshimi i Kushtetutës do të kërkonte miratimin e dy të tretave si nga Senati ashtu edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, si dhe miratimin nga tre të katërtat e qeverive në nivel shtetëror të vendit.

