Kosova
Donika Gërvalla alarmon Rubion për rrezikun nga Rusia, Kina e Serbia
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shprehur “gëzim të madh” për emërimin e senatorit amerikan, Marco Rubio, në detyrën e Sekretarit amerikan të Shtetit dhe ka vlerësuar qëndrimin e tij të ashpër ndaj Rusisë dhe Kinës, të cilat, krahas Serbisë, janë duke kërcënuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Kryediplomatja e Kosovës ka shtuar se përfaqësues i interesave ruse dhe kineze në Ballkanin Perëndimor është presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili, duke qenë një ndër aleatët më të ngushtë të Moskës dhe Pekinit, paraqet rrezik për sigurinë.
“Ne e vlerësojmë angazhimin tuaj për liri dhe qëndrimin tuaj të qartë ndaj Rusisë dhe Kinës, të cilat kërcënojnë stabilitetin në rajonin tonë me ndihmën e Vuçiçit”, ka theksuar ministrja Gërvalla përmes një postimi në platformën X.
Sekretarin e ri të Shtetit e ka uruar më herët edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke theksuar përkushtimin e saj për të forcuar aleancën me SHBA-në. “Kosova mezi pret të punojë me ju për të forcuar aleancën tonë të qëndrueshme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë së bashku”.
Senatori nga Florida do të drejtojë politikën e jashtme amerikane në mes të krizave globale për katër vitet e ardhshme. Rubio e ka pasur disa herë në fokus Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, ai ka pasur lidhje me Kosovën që nga fazat e para të karrierës së tij politike, duke punuar me personalitete që kanë kontribuuar në lirinë e Kosovës.