Shkrime
Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit

Nga Skënder Minxhozi/
Si Trump ka vetëm kapelen që i kanë thënë të mbajë në kokë. Të tjerat deri tani i ka si Joe Biden, presidenti të cilin e urreu në heshtje, teksa shihte sesi administrata e tij e dënonte me statusin non grata. Sali Berisha po bën të flitet shumë për të këto orë, jo edhe aq për premtimet të cilat dihen se sa të shumta e bujare janë në kohë fushatash, por më tepër për gafat, gjestet e shkarjet e vogla banale para kamerave. Është një Berishë ky i fushatës së fundit elektorale, të cilin e njihnim dhe e kujtonim shumë të ndryshëm gjatë 30 viteve të fundit: majë kalit të garës elektorale, plot vrull e populizëm që i buronte nga e gjithë qenia e tij. Aq sa shumëkush, miq apo armiq, pranonin me gjysëm zëri se ky politikan kishte lindur për fushatat dhe mitingjet.
Sot rrjedha e ngjarjeve e ka kthyer Berishën në sinoret biologjike të dikujt që e ka të vështirë të menaxhojë ritmin e një fushate kombëtare zgjedhjesh. Pak a shumë ashtu si “i urryeri” Joe Biden i cili rrëshqiste nga shkallët e avionit apo ngrinte me shikimin diku në sallë teksa mbante një fjalim. Është ana e vetme që Berisha s’do të donte ta shfaqte në publik. Është ai aspekt që tek një politikan populist si ai, i cili ofron gjithmonë luftën, përballjen dhe grushtin e ngritur, përbën një kontrast të papranueshëm, një thyerje kapitulluese, një kthesë fatale drejt humbjes.
Kjo fushatë po na zbulon për herë të parë një Berisha në variantin e tij “soft”. Një politikan që ka humbur sigurinë në ecje, të cilit njerëzit i urojnë shëndet duke i vënë në dukje moshën, që nis të harrojë datat e vendet apo që fjalët i dalin të shtrembëruara duke u bërë objekt ironie e shpotie nga kundërshtarët. Gjithçka normale dhe fiziologjike për një njeri me shumë vite mbi shpinë, por njëherësh edhe gjithçka që është e papranueshme dhe që bie ndesh me modelin dhe mentalitetin që Sali Berisha ka kultivuar në politikën shqiptare.
Doktori do të donte një fushatë të tipit të Donald Trump, e cila përfundoi me fitoren e miliarderit përballë dyshes Biden-Harris. Në fakt pa dëshirë dhe në mënyrë krejt të papritur fushata e tij po nis t’i ngjajë listës së gafave e rrëzimeve të Joe Biden. Një spostim fatal dhe më i urryeri i imagjinueshëm për Berishën, i cili energjisë konstante të Edi Ramës që është në çdo moment të ditës në video apo në fushatë në terren, s’po arrin t’i mbajë ritmin dhe tensionin e duhur.
Nuk është kjo fushata që opozita kishte planifikuar me Berishën. Partia Demokratike endet prej 12 vitesh në nostalgjinë elektorale të Sali Berishës, si politikani që transformohet në momentin e garës politike. Në fakt ajo që opozita po gjen është një aspekt dobësie që megjithëse i pritshëm dhe logjik, konsiderohej i largët dhe i pamundur për ndjekësit e Doktorit. Të paktën në këto zgjedhje, ku Berisha përsërit vazhdimisht se do të jetë kryeministri i ardhshëm pas 11 majit.
Momenti kur mbahen zgjedhjet aktuale parlamentare përkon me një temë shumë debatuar në vitet e fundit, e cila është ajo e konsumit të elitës politike të postkomunizmit. Dalja e partive te reja në skenë dhe mërzia e elektoratit shqiptar me fytyrat e vjetra të 30 viteve të shkuara ende në skenë, e bëjnë fatale çedimin dhe rëniet apo gafat para kamerave të fushatës. Berishës po i ndodh pikërisht kjo në momentin më të padëshërueshëm. Kishte dashur një fushatë si të Trumpit, por po i del një fushatë si e Bidenit. Problem i madh, tre javë para votës

