Politike
Dosja ‘5D’/ Gjykata e Lartë lë në burg ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë
Gjykata e Lartë ka lënë në burg dy ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato dhe Redi Molla, duke rrëzuar rekursin e tyre për vendimin e Apelit të Posaçëm. Dy ish-drejtorët, të cilët akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash do vijojnë qëndrimin në qelinë e paraburgimit.
Vendimi i Apelit u ankimua në Gjykatë të Lartë nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët prej muajit mars janë në qelinë e paraburgimit për dosjen “5D”, bashkë me Taulant Tushen. Gjykata e Lartë pak javë më parë prishi vendimin e Apelit të Posaçëm për lëniën në fuqi të masës së sigurisë ndaj dy ish- drejtorëve, duke rikthyer çështjen në të njëjtën gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese, vendimi mbeti po i njëjtë.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se kanë krijuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato.
I pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC. Qato dhe Molla u arrestuan pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, ndërsa 5 zyrtarë të tjerë u lanë në masën e arrestit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjykata ka vendosur gjithashtu arrest me burg edhe për Taulant Tushën, një tjetër ish-drejtues i rëndësishëm i Bashkisë së kryeqytetit që ndodhet aktualisht në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Të gjithë së bashku, sipas SPAK, gjatë kohës që ushtronin detyrën favorizonin kompanitë e tyre për të përfituar nga tenderat publikë.
Kompania “5D” u vendosur nën sekuestro nga SPAK, pas arrestimit të zyrtarëve të Bashkisë Tiranë që akuzohen se e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte dhe kanë përfituar 16 tendera prej saj. Paratë nga tenderat e përfituar ishin nxjerrë “pjesërisht” nga sistemi bankar dhe ishte përdorur skema e kryerjes së pagesave për punime fiktike, kur në fakt merreshin “cash” nga pronarët e vërtetë për t’u riinvestuar sërish tek kompania “5D”. Një pjesë tjetër e parave të siguruara janë përdorur për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.