Shkrime
Dosja Balluku, standarti europian dhe standarti Gonzato
Nga Armand Shkullaku
Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, duhet të jetë menduar gjerë dhe gjatë ndërsa lëshoi një koment për çështjen Balluku, të cilin do ta kishte zili edhe vetë Nard Ndoka. Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë tha se çdo njeri prezumohet i pafajshëm përsa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë kundër tij. Ja, kjo ishte diçka që qytetarët dhe elita e një vendi si Shqipëria do duhej ta mbanin shënim. Fjalë të rralla dhe me peshë në epokën historike të parapërpara integrimit në BE.
Ambasadori do të duhej që këtë standart të lartë demokratik, veçanërisht në një vend ku i është arkivuar kuptimi, ta përmendtte si një akt civilizues të ballafaqimit me drejtësinë. Pra, zoti Gonzato mund të deklaronte se beson tek prezumimi i pafajsisë së zonjës Balluku deri sa fjalën e fundit ta thotë gjykata, por në frymën e standartit europian ajo do të duhej të ballafaqohej si e barabartë me secilin qytetar për t’u mbrojtur nga akuzat e ngritura. Pra e dorëhequr dhe jo si numri dy i qeverisë.
Duke zgjedhur medemek të heshtë për një çështje në proces hetimi, Ambasadori i BE në fakt zgjodhi të flasë duke i mëshuar parimit të prezumimit të pafajësisë dhe jo atij të barazisë përpara ligjit, të përdorimit të pushtetit dhe jo zhveshjes prej tij kur gjendesh përballë ligjit. Ambasadori në një farë mënyre u tha shqiptarëve se ata janë të barabartë përballë ligjit, por zyrtarët e lartë të Rlindjes janë më të barabartë. Dhe nëse Ambasadori apo shefat e tij në Bruksel do të kishin ndonjë dyshim se a është përcjellë si duhet ky mesazh, mjaftojnë të përkthejnë lajmin e shpërndarë sot kudo në mediat e qeverisë me të njëjtin tekst e të njëjtin titull: Akuzat ndaj Ballukut, Gonzato: Nuk dënohen njerëzit pa ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore.
Nuk dihet nëse komisionerja Kos do të reagojë, me shpejtësinë që e karakterizon, për të sqaruar pozicionin e Bashkimit Europian ndaj hetimit të rasteve të korrupsionit të niveleve të larta në Shqipëri, por nga çfarë është pretenduar në gjithë këto vite, taksat e qytetarëve europianë janë përdorur me synimin për të ngritur një drejtësi që do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe jo për të dhënë leksione mbi prezumimin e pafajësisë. Por reagon apo nuk reagon Brukseli, Ambasadori Gonzato, në raste të tjera të ngjashme do të ishte mirë të aplikonte një shprehje të urtë shqiptare: Ça le pa thënë, qar e ke.