Aktualitet
Dosja e zyrtarit të FBI-së, i përfshirë ish-truproja i Berishës

Agron Neza, biznesmeni shqiptaro-amerikan, që dyshohet të ketë bashkëpunuar me ish-agjentin e FBI-së të vënë në hetim në SHBA, ka qenë student i shkollës së Sigurimit në fund të viteve ’80.
Sipas gazetarit Mero Baze, në vitin 1990 Agron Neza, që tani jeton në Nju Xhersi, u bë badigard vullnetar i Azem Hajdarit dhe Sali Berishës.
Në një dalje për mediat këtë të mërkurë ish-kryeministri Sali Berisha tha se nuk e njeh Agron Nezën.
“Unë nuk e njoh personalisht atë. Nuk kam asnjë lidhje. Ai ka punuar në shërbim në qytete të ndryshme. Ka shumë gjëra që faktojnë të kundërtën e asaj që akuzojnë këta”, tha Berisha.
Por në një foto të publikuar së fundmi nga portali Hashtag.al vërtetohet që Sali Berisha jo vetëm e njeh Agron Nezën por edhe ka pozuar pranë tij. Fotoja është bërë në vitin 2000 në zyrën e vet Sali Berishës.
Zyrtari i lartë i FBI Charles McGonigal po hetohet në SHBA për thyerje të sanksioneve, duke ndihmuar një oligark rus. Zyrtari ka pasur një udhëtim në Tiranë dhe më 9 shtator 2017 edhe një takim me kryeministrin Edi Rama, që kreu i qeverisë e konfirmon, por që thekson se nuk ka lidhje me pjesën tjetër të jetës dhe punës së ish-agjentit të FBI. Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI u ka thënë prokurorëve se ka lobuar që Edi Rama të mos i japë licencë për zbulim nafte një kompanie guaskë që ka fije lidhëse me Rusinë. Lobimi në një kohë kur agjenti ka qenë ende në punë, konsiderohet konflikt interesi.
Emri i Agron Nezës nuk përmendet zyrtarisht në aktakuzën ndaj McGonigal, por dyshohet janë se është pikërisht ai, personi që i ka dhënë në dorë 225 mijë dollar ish-agjentit të FBI, (i cili nuk i ka deklaruara) për influencë tek autoritetet shqiptare me përfitime në biznes.
Në akuzën zyrtare të prokurorisë së Uashingtonit në Shtetet e Bashkuara, personi të cilin e përshkruan vetëm me germën A, dhe me dyshimet e arsyeshme se është Agron Neza, mes të tjerash i ka kerkuar ish-zyrtarit të lartë i FBI të hapë një hetim në SHBA për një shtetas amerikan që ka lobuar “për një parti politike shqiptare, e ndryshme nga ajo në të cilën është anëtar kryeministri
Ky episod u përdor nga sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, për të dorëzuar një padi në SPAK për hetimin e Edi Ramës, pasi rasti i përmendur në aktakuzën e prokurorisë amerikane, mund të jetë për paratë e lobit rus të Lulzim Bashës.
Në Tiranë, në 2019-ën, ish-agjenti i FBI sipas dokumenteve zyrtare të QKB, u bë bashkëaksioner me Agron Nezën në një studio ligjore, të hapur që prej vitit 2008, nga Shefqet Dizdarin, një avokat nga Tropoja, pronar i një kompanie shfrytëzimi nafte, licencuar nga Berisha në kohën e fundit kur ishte në pushtet.

