Kosova
Dosja me planet malinje të Rusisë/ Amerika dërgon armë të tjera në Kosovë

Ndonëse Kosova është në pritje të vendimit të Kongresit Amerikan për miratimin apo jo të kërkesës së saj për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”, janë shtuar zërat se Ballkani Perëndimor mund të jetë “viktima” e radhës e një konflikti ndër-rajonal.
Teksa Kosova gjendet në një moment të rëndësishëm të shtet-ndërtimit, njohësit e dinamikave politike në Ballkan përveç optimizmit të shprehur për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin e kërkesës së Qeverisë së Kosovës për blerjen e raketave anti-tank, ngrenë pikëpyetje të shumta për planet destabilizuese të Rusisë në rajon.
Politologu nga Bosnja e Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, beson se vendimi i SHBA-ve për armatimin e Kosovës me anti-tanke është “njëra nga gjërat më pozitive që ka ndodhur në rajon për një kohë shumë të gjatë”.
Një Kosovë e fortë dhe e qëndrueshme, vlerëson Mujanoviç, do të ketë një impakt shumë pozitivë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, marrë parasysh qasjen konfliktuale të Serbisë, e ilustruar së fundmi me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Kur Aleksandër Vulin ose Aleksandër Vuçiç flasin për botën serbe, i gjithë rajoni, dhe jo vetëm Kosova, duhet të shqetësohet, sepse është kërcënim për të gjithë” – potencon Mujanoviç në një panel diskutimi.
Nga ana tjetër, ekspertja amerikane e sigurisë, Ivana Stradner tha se Kosova duhet të jetë e fortë dhe e qëndrueshme, pasi ajo është e bindur se nëse Rusia nuk ndalohet atëherë Ballkani do të jetë “fronti i dytë i Rusisë në Evropë”.
Reagimi i Stradner ka ardhur pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka alarmuar se anulimi i mundshëm i ndihmës financiare për Ukrainën mund të çojë në fitore të shpejtë të Rusisë e madje edhe krizë të re në Ballkan. Gjithashtu për hulumtuesin e lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane me seli në Uashington, Leon Hartwell, pranimi i kërkesës së Qeverisë së Kosovës nga ana e SHBA-ve për shitjen e raketave anti-tank, Javelin, është tregues i një reagimi të fortë ndaj të gjitha provokimeve të mundshme nga regjimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kjo lëvizje të cilën Hartwell e cilëson si “strategjike”, nënvizon përkushtimin e SHBA-ve për forcimin e pozitës mbrojtëse të Kosovës.
“Njoftimi i shitjes së raketave shërben si një tregues i pagabueshëm se Amerika është e gatshme të forcojë aftësitë mbrojtëse afatgjatë të Kosovës, si dhe aftësinë për te mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën serbe.
SHBA-ja njoftoi më 11 janar se ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërajrore Javelin, që prodhohen në SHBA.
Departamenti amerikan i Shtetit në anën tjetër potencoi se blerja e tyre do t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.
Ndërsa kjo çështje është dërguar në Kongresin amerikan për miratim presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, potencoi se beson që kërkesa për blerjen e këtyre armëve do të miratohet, kurse Vuçiç, e cilësoi lajmin si “zhgënjim të madh”.

