Connect with us

Aktualitet

DOSJA/ Mister kush e porositi Kobaltin! Rrezet radioaktive ‘sheshit’ nëpër Onkologjik! Mjekët frikë se janë prekur nga tumori

Mjeku radiolog Adrian Hoti, ishte i pari që ngriti shqetësimin e rrezatimit të kobaltit në kabinetin e brachyterapisë, lëndë radio-aktive që po mbahej prej vitit 2021 në kushte të papërshtatshme në ambientet e Spitalit Onkologjik në QSUT, duke rrezikuar shëndetin e pacientëve dhe të vetë personelit mjekësor.

Fillimisht në fund të vitit 2021 me një mesazh të gjatë drejtuar të gjithë kolegëve në grupin në “Uhatsapp” me emrin “Shërbimi Onkologjik”, në të cilin janë të gjithë, mjek dhe drejtues, ai kërkon të dijë më shumë për standardet e këtij kabineti.

“Problemi i ngritur nga unë lidhet me dhomën, e cila nuk ka mbrojtjen e duhur për shëndetin e të gjithëve. Kush të ketë informacion të na e thotë. Nëse nuk kemi standarde në mbrojtje nga rrezatimi, kush më shumë e kush më pak, jemi të dëmtuar”, shkruan Hoti.

I menjëhershëm ka qenë reagimi zinxhirë i mjekëve të tjerë pjesë e grupit, të cilët kërkojnë informacion më të detajuar.

“Mendoj se duhet të paktën të jemi në dijeni të nivelit të rrezatimit aktual të matur nga autoriteti përkatës i certifikuar. Kjo shifër nuk besoj se është një sekret ushtarak”, shkruan Bledi Kreko, Mjek Onkolog

“Nuk mund të mos bëhen transparente vlerat e rrezatimit, kjo është shqetësuese me pasoja dëmtimin e shëndetit të stafit. Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimi ka detyrim të na informojë me transparencë”, shkruan Fatjona Kraja, mjeke Onkologe.

Një ndërhyrje e mjekut Orges Spahiu thotë se rrezatimi është zero, njëjtë si i mjekes Silvana Çeliku shefe e shërbimit të Onkologjisë, e cila për ta bërë më të besueshëm qëndrimin e saj thotë se u beson strukturave të vendit dhe se e do jetën e saj dhe të vajzës.

Një tjetër mjek që kërkon përgjigje sa më të shpejtë është mjeku kirurg Helidon Nina, drejtues mjekësor i Onkologjikut.

“Uroj të kemi sa më shpejt një raport dhe duhet që brachyterapia të vendoset në funksion”, shkruan Nina.

Emri i Helidon Ninës në dosjen e Prokurorisë së Tiranës, përmendet mes kolegëve të bluzave të bardha, si mjek tek i cili nuk mund të ndërhyhet për radhën e pacientëve apo për paligjshmëri të tjera, pasi ai etiketohet si strikt në punë.

Rrezikun e mundshëm nga rrezet e lëndës kimike kobalt 60, e ndjen edhe vetë mjekja Alketa Pere, me masë sigurie nga Prokuroria. Në bisedat mes kolegëve në grupin e Uhatsapp, ajo thotë se ka të dhëna që tregojnë numër të lartë të personave me sëmundje malinje në Onkologjik. Në prill 2022 nga Njësia e Radioterapisë është konstatuar rrjedhje e rrezatimit në ambientet e tjera, thuhet nw dosjen e Prokurorisw.

Pasi zëri i tij nuk u dëgjua radiologu Adrian Hoti la punën 24 vjet pasi kishte venë këmbë për herë të parë si mjek në spitalin Onkologjik.

Në dosjen e Prokurorisë së kryeqytetit thuhet se është e paqartë se kush e porositi kobaltin në kushtet kur spitali nuk kishte krijuar mjetet për ruajtjen e tij, pasi brachiterapia nëse do të vihej ndonjëherë në funksion, duhej në një dhomë të tillë si një bunker, me mure të betonizuara e të trasha në mënyrë që rrezet e rrezikshme të mos përhapen në ambiente të tjera të spitalit. Por kjo dhomë sigurie – thonë hetuesit nga vëzhgimi në terren – nuk u ndërtua kurrë. Nëse lënda e kobaltit nuk vihet në përdorim për terapinë me rreze, atëherë jo vetëm që vetitë e tij për trajtimin e pacientit bien, por rreziku i përhapjes në ambient të rrezeve radio-aktive shtohet.

Personi që mund të ketë dijeni mbi sjelljen e kobaltit mund të jetë Drilona Kishta, ish-specialistja e zyrës së rrezatimeve në QSUT, e cila aktualisht jeton në Amerikë dhe ndaj saj ka masë detyrim paraqitje për të cilën do të njoftohet në kufi. Ajo dyshohet se ka bërë ekspertizën që garantonte se ishin kushtet për një bunker anti-radioaktiv por organi i akuzës thotë se një sërë matjesh nga ekspertë të huaj, ngritën alarmin se rrezatimi nëpër korridoret e onkologjikut nga burimi i kobaltit që u la sheshit pa kushte, ishte 20 herë më i lartë se normat, por të dhënat e ekspertit gjerman thuhet se janë fshehur.

Për mos funksionin e kobalto terapisë duke lënë pa këtë shërbim pacientët ndër vite, është në hetim edhe zv/drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi, me masë sigurie. Sipas një raporti të KLSH-së në 2023, 200 pacientë të prekur nga tumori i lëkurës nuk e kanë marrë shërbimin me radioterapi.

Advertisement