Connect with us

Aktualitet

Drafti i Kodit i ri të Penal, reagon OSBE: S’kemi marrë pjesë në hartim, por jemi gati të japim rekomandime

Prezenca e OSBE në Tiranë ka reaguar për draftin e ri të Kodit Penal u prezantua javën e kaluar nga krerët e sistemit të Drejtësisë në vend. Në një reagim për Report Tv, OSBE konfirmon se ekspertë të saj nuk kanë marrë pjesë në grupin e punës që hartoi draftin me ndryshimet. Duke theksuar rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor, prezenca e OSBE thekson se po e shqyrtojnë draftin dhe shpreh gatishmërinë për të ofruar rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë. Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, ne po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, thuhet në reagimin e OSBE për Report Tv.

Pak ditë më parë, Delegacioni i BE në Tiranë ka deklaruar se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve gjatë diskutimeve të hartimit të dispozitave të Kodit Penal.

Drafti i Kodit të ri Penal është ende në diskutim dhe pritet të kalojë në Parlament pas përfundimit të procesit të konsultimit publik, ndërsa deri më tani ka shkaktuar reagime dhe kritika të shumta, madje edhe nga krerë të institucioneve të drejtësisë.

Kodi i ri Penal do të zëvendësojë atë aktual të vitit 1995, në mënyrë që të reflektojë 61 direktiva të BE-së në fushën penale. Në draft vihen re disa risi ku përfshihen vepra të reja penale që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, pornografinë, por edhe me krimet kibernetike. Po ashtu Kodi i ri përfshin ashpërsim masash për krimet ndaj të miturve. Janë rikonceptuar edhe masat edukative për të miturit duke u bazuar në zhvillimin e plotë të tyre fizik, mendor, moral dhe social. Një tjetër pikë është edhe shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizimit. Në Kodin e ri Penal propozohet lirimi me kusht për të dënuarit e përjetshëm, atëherë kur përmbushen kushtet.

Advertisement