Politike
‘Drejtësia nën urdhrat e Ramës’/ Boçi: PD vazhdon mosnjohjen e zgjedhjeve, me nisjen e parlamentit hapet një fushëbetejë e re

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka lëshuar akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, duke deklaruar se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është totalisht i kapur dhe i kontrolluar politikisht. Sipas Boçit, procesi i vettingut është përdorur nga Rama si një mjet për të vënë nën presion gjyqtarët, KLP, KLGJ dhe institucionet e drejtësisë, duke vepruar hapur në shkelje të kushtetutës.
“Rama kërkon të imponohet si njeriu që përcakton fituesit në drejtësi, duke kapur çdo element të sistemit, përfshirë SPAK-un, BKH-në dhe gjykatat administrative,” u shpreh Boçi, duke theksuar se kryeministri përdor linçimin publik dhe trysninë si mekanizma kontrolli. Demokrati akuzoi gjithashtu Ramën se po përpiqet të shfaqet si sundimtar absolut, duke përulur dhe nënshtruar institucionet e pavarura. “Nuk ka dilema, drejtësia është e kapur nga Rama dhe kontrollohet në çdo qelizë,” shtoi Boçi. Ai theksoi se mosnjohja e zgjedhjeve nga PD do të vazhdojë, duke paralajmëruar një fushëbetejë të re politike. Sipas tij, zgjedhjet e 2025janë manipuluar, blerë dhe vjedhur në mënyrë flagrante, ndërsa faktet tronditëse për këtë proces tashmë janë bërë publike.
Boçi:
Drejtësia është totalisht e kapur, e kontrolluar, u kap dhe u kontrollua nëpërmjet procesit të vettingut, dhe dihet shumë mirë që kryeministri kur bën deklarata, qoftë për gjyqtarë, për KLP, apo për KLGJ, për institucionet e drejtësisë në përgjithësi, ai është në shkelje të kushtetutës.
Rama këtë e bën pikërisht sepse jemi pranë një gare, pranë një gare për të zgjedhur krerë në institucione shumë të rëndësishëm të drejtësisë dhe Rama kërkon të imponojë si njeriu që përcakton fituesin, si njeriu që do të kapë çdo element të sistemit të drejtësisë përfshirë këtu SPAK, BKH, përfshirë edhe çfarëdo elementi tjetër drejtësie, edhe gjykatë administrative po të doni etj.
E ka dëshmuar një gjë të tillë dhe kapja vjen edhe nëpërmjet trysnisë dhe presionit që ai bën nëpërmjet edhe linçimit publik që ai i bën gjyqtarëve dhe linçimit publik që i bën institucioneve të drejtësisë, në fakt edhe përuljes dhe lepirjes së këtyre të fundit nëpërmjet deklaratave dhe mënyrës së sjelljes së kryeministrit.
Pra për mua nuk ka dilema, nuk ka betejë, a e ka kapur Rama drejtësinë, Rama e kontrollon drejtësinë.
Kapitulli i mosnjohjes së zgjedhjeve nga PD, do të vazhdojë, nuk mbyllet ky kapitull me fillimin e jetës parlamentare. Madje unë do të thoja që është hapja e një fushëbeteje të re në raport me vlerën që kanë këto zgjedhje dhe në raport me faktet tronditëse që tashmë kanë dalë, janë bërë publike për mënyrën sesi janë menaxhuar, si janë bërë publike dhe si janë blerë e vjedhur këto zgjedhje.

