Connect with us

Bota

Drejtuesit e zbulimit amerikan dhe britanik thirrje për të qëndruar “në kurs” në Ukrainë

Drejtuesit e dy agjencive kryesore të zbulimit amerikan dhe britanik, CIA dhe MI6, thanë në një artikull të publikuar të shtunën se “qëndrimi në kurs” në mbështetjen e luftës së Ukrainës kundër Rusisë është më i rëndësishëm se kurrë, ndërsa u zotuan të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin e tyre për këtë dhe sfida të tjera.

Editoriali i publikuar në gazetën “Financial Times” nga drejtori i CIA-s, William Burns dhe Richard Moore, shef i agjencisë britanike të zbulimit MI6, shënon rastin e parë të një artikulli të përbashkët nga krerët e këtyre agjencive.

“Partneriteti qëndron në zemër të marrëdhënieve speciale mes vendeve tona”, shkruan ata, duke theksuar se dy vjet më parë agjencitë e tyre shënuan 75 vjet partneritet.

Agjencitë “qëndrojnë së bashku për t’i rezistuar agresionit të Rusisë dhe Putinit kundër Ukrainës”, shprehen ata në artikull.

“Qëndrimi në kurs [në Ukrainë] është më jetik se kurrë. Putini nuk do të ketë sukses në shuarjen e sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”, shprehen më tej ata, duke shtuar se agjencitë e tyre do të vazhdojnë të ndihmojnë zbulimin ukrainas.

 

Richard Moore, shef i agjencisë britanike të zbulimit MI6
Richard Moore, shef i agjencisë britanike të zbulimit MI6

Forcat ruse kanë përparuar ngadalë në Ukrainën lindore, ndërsa trupat ukrainase kanë pushtuar një pjesë të madhe të rajonit rus të Kurskut. Kievi ka bërë thirrje për më shumë ndihma ushtarake ajrore amerikane dhe nga Perëndimi.

Drejtuesit e zbulimit amerikan dhe britanik thanë se agjencitë e tyre do të vazhdojnë të punojnë për të penguar një “fushatë sabotazhi nga spiunazhi rus në të gjithë Evropën” si dhe shfrytëzimin e teknologjisë “për të përhapur dezinformata dhe krijuar përçarje”.

Rusia i ka mohuar akuzat për fushata sabotazhi dhe dezinformim në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.

Drejtuesit Burns dhe Moore vunë në dukje se ata kishin riorganizuar agjencitë e tyre për t’iu përshtatur forcimit të Kinës, për të cilën ata thanë se përbën sfidën gjeopolitike të shekullit të 21-të.

Advertisement