Bota
Dritë jeshile për paqe? Trump ka gati planin për paqe mes Gazës dhe Hamasit, prezanton marrëveshjen

Janë orë vendimtare për fatin e Rripit të Gazës, teksa për herë të parë pas muajsh përgjakje dhe negociatash të dështuara, një plan i detajuar për paqe duket se ka marrë një pranim paraprak nga Hamasi.
Sipas asaj që raporton Times of Israel, grupi militant palestinez ka pranuar në parim propozimin e hartuar nga Donald Trump dhe ekipi i tij diplomatik, një zhvillim që, nëse konfirmohet zyrtarisht, mund të shënojë kthesën më të madhe në konfliktin izraelito-palestinez që nga 7 tetori.
Plani, i përbërë nga 21 pika dhe i ndërtuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff në bashkëpunim të ngushtë me Katarin, përmban ndryshime të thella në qasjen ndaj Gazës, popullsisë civile dhe vetë Hamasit.
Ai parashikon një ndalim të menjëhershëm të luftimeve dhe tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza, në këmbim të lirimit të të gjitha pengjeve, të gjallë apo të vdekur, brenda 48 orëve nga pranimi publik i marrëveshjes nga Izraeli. Së bashku me pengjet, do të lirohen qindra të burgosur palestinezë që mbahen aktualisht në burgjet izraelite, përfshirë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe mbi 1,000 të arrestuar që nga nisja e luftës.
Një nga pikat që tregon qartë ndryshimin e kursit nga ana e Uashingtonit është qasja ndaj popullsisë civile të Gazës. Plani nuk përfshin më dëbimin masiv të banorëve drejt ndonjë Riviere të paqartë, siç ishte sugjeruar më herët në qarqe jozyrtare.
Përkundrazi, parashikohet një Gaza e çliruar nga terrorizmi, e rindërtuar dhe e administruar nga një qeveri kalimtare teknokratësh palestinezë, e mbikëqyrur nga një organ ndërkombëtar i krijuar nga SHBA-të në koordinim me partnerë arabë dhe evropianë.
Hamasi nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie, ndërsa Izraeli nuk do të aneksojë territorin dhe nuk do të ketë më prezencë ushtarake në zonat e stabilizuara.
Plani përfshin gjithashtu amnisti për anëtarët e Hamasit që pranojnë bashkëjetesën paqësore dhe garanci për kalim të sigurt për ata që zgjedhin të largohen nga territori. Një tjetër element i rëndësishëm është se në rast se Hamasi refuzon apo vonon zbatimin e marrëveshjes, pikat e saj do të fillojnë të zbatohen në ato zona të Rripit ku nuk ka më prezencë të grupit, të cilat do t’i dorëzohen një force ndërkombëtare stabilizimi. Kjo pikë e 17-a në plan sinjalizon për herë të parë që marrëveshja mund të zbatohet pjesërisht, edhe pa përfshirjen e plotë të Hamasit.
Në sfond qëndron presioni gjithnjë e më i madh mbi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, që sipas gazetës izraelite Haaretz, nuk gëzon më liri të plotë veprimi nga aleatët perëndimorë. Pas një takimi të dështuar në Doha dhe përmes ndërhyrjes së Steve Ëitkoff, administrata amerikane ka kuptuar se veprimet e Netanyahut po destabilizojnë më tej Lindjen e Mesme dhe po rrezikojnë interesat e vetë Shteteve të Bashkuara në rajon. Si rezultat, Uashingtoni nuk është më i gatshëm t’i japë Izraelit mbështetje të pakushtëzuar.
Megjithatë, situata mbetet e paqartë. Ndërsa mediat izraelite flasin për një pranim në parim të planit nga Hamasi, një zyrtar i këtij grupi u shpreh për agjencinë Al Araby se nuk ka marrë ndonjë propozim zyrtar. Në të njëjtën kohë, administrata amerikane ka konfirmuar se si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, janë informuar për përmbajtjen e plotë të marrëveshjes.
I pyetur për zhvillimet e fundit, Donald Trump është shprehur shumë pozitiv, duke shtuar se pret me padurim takimin e së hënës me Benjamin Netanyahun.
Në qendër të përpjekjeve për të bindur Hamasin që të nënshkruajë zyrtarisht marrëveshjen është Katari, i cili pritet të dorëzojë një letër të firmosur nga grupi militant. Nëse kjo ndodh, do të jetë hapi më i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje politike që nga nisja e konfliktit dhe ndoshta një nga zhvillimet më të rëndësishme për stabilitetin e rajonit në vitet e fundit.

