Kosova
Dritëhijet e Banjskës dhe përmbysja e roleve/ Gazetarja ngre dyshime
Duke folur për tensionet e shtuara mes Kosovës dhe Serbisë, Tatjana Lazarevic, kryeredaktore e portalit Kossev në veri të Kosovës, u shpreh se incidenti i fundit i madh është ngjarja në Banjskë, e cila nga bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina është cilësuar si akt terrorist dhe disa besojnë se është edhe pjesë e planit për ndarjen e veriut të Kosovës me ndërhyrjen e Serbisë.
“Në rastin e Banjskës, ka fakte të dukshme dhe pyetje të hapura. Përveç humbjes së katër jetëve, stresit të pësuar, pasojat për palën serbe do të jenë të rënda dhe afatgjata. Për qeverinë e Kosovës, e cila menjëherë para rastit Banjska, u gjend në shënjestër të kritikave të intensifikuara nga Perëndimi – sulmi, vrasja e një polici të Kosovës në pritë dhe evidentimi i provave materiale si armët dhe pajisjet ushtarake, materiali video dhe fotografik, dokumentacioni etj, shërbeu për të justifikuar plotësisht vendosjen dhe praninë e forcave speciale të forta të Policisë së Kosovës në veri. Banjska, pra, përmbysi rolet e “djaloshit të mirë” dhe “djaloshit të keq”. Ky rast ngre një sërë pyetjesh të hapura dhe hap një sërë palogjikshmërish: Cili ishte qëllimi i vërtetë i hyrjes së këtij grupi? Çfarë ndodhi që nga momenti i vrasjes së rreshterit të policisë e deri te likuidimet e para të anëtarëve të këtij grupi të armatosur? Cili ishte roli i KFOR-it, EULEX-it dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë? Si është e mundur që armët dhe pajisjet ushtarake, me vlerë pesë milionë euro, të kalojnë pa u pikasur nga NATO-n, por edhe nga ushtria serbe?” – theksoi Tatjana Lazarevic, kryeredaktore e portalit Kossev.
Duke kujtuar se në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosja e Kurtit fitoi 50.28 për qind të votive, e pyetur se cila është mbështetja aktuale për qeverinë e Kurtit dhe sa mund të ndikohet nga lëvizjet e tij politike, Lazareviç u shpreh që ka përshypje se po krijohet një “hyjni” e re politike.
“E kemi parë se ku të çon idhujtaria, sidomos në Ballkan. Albin Kurti me “skifterët” e tij gjeneron gjithnjë e më shumë mbështetje të fortë. Bosht është politika e tij ndaj Serbisë dhe serbëve dhe “pushtimi” i Veriut dhe spastrimi nga Serbia, qoftë edhe nga ndikimi i serbëve si komunitet shumicë në atë territor. Dhe kjo është ajo që duhet të trembë. Aq më tepër kur etnocentrizmi, nacionalizmi, i mbështjellë me petkun e enverizmit, paketohet si socialdemokraci, apo luftë kundër krimit të organizuar dhe vendosja e rendit. Ndoshta këta katër deri në shtatë për qind e serbëve të mbetur, të cilët zyrtarisht në Perëndim llogariten si përqindje që e bën Kosovën “shtet multietnik”, do të zhduken nesër. Megjithatë, shoqëria shumicë në Kosovë, nëse jo qeveria e saj, ende nuk është përballur me skeletet e veta nga dollapi, pra me vizionin e tyre për demokracinë dhe të vërtetën për demokracinë, sundimin e ligjit dhe liritë civile, çfarë bote ata aspirojnë. Ka zëra se Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç me sjelljet e tyre të deritanishme po ndihmojnë njëri-tjetrin për të mbuluar krizat e brendshme. Unë nuk mendoj se tani ata të dy janë dakord dhe po negociojnë diçka. Por unë shoh se të dy liderët marrin përfitime, nga ajo që e quaj “tango e pistë”” – potencoi Lazareviç