Connect with us

Pinknews

“Droga në Shqipëri duhet të legalizohen”- Zhaku: Eskortat e Tiranës prezantohen si këngëtare dhe modele!

Si një ndër aktivistet që shpesh herë ka ngritur zërin për kauza të ndryshme, Inida Gjata, e njohur si  Zhaku duket se ka gati një projekt, një projekt që në sytë e saj përmirëson Shqipërinë. Në intervistë e dhënë për “Panorama”, ajo shprehet se në Shqipëri qarkullojnë shumë para dhe një amnisti penale dhe fiskale, do ta ndihmonte vendin të ngrihej.

“Viti 0” duket si një realitet i ri që ajo ofron, duke u shprehur se dekriminalizimi, legalizimi i drogave dhe i prostitucionit do të ndihmonin jo vetëm jetën ekonomike, por edhe sociale të vendin tonë. Veten nuk e sheh si një profil politikani, por idetë i ka të qarta se çfarë do të bënte nëse do të ishte kryeministër. Duket se jeta në Gjermani e ka rritur dhe sprovuar dhe tashmë është më se gati, për të sjellë një frymë të re me angazhimin e saj mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Prej disa kohësh kishit munguar në mediat shqiptare, pse tani ky rikthim i juaji?

Sepse tani e shoh të domosdoshme shkundjen e shoqërisë dhe klasës politike në Shqipëri. Rrethanat e kërkojnë me ngulm vënien e kapakut të tranzicionit 35-vjeçar dhe një vit 0 për të gjithë. Situata socio-politike po përkeqësohet, ndërsa ajo ekonomike po bëhet gjithnjë e më informale.

Shpresa për ditë më të bukura ka perënduar. Çdo ditë e më shumë braktiset vendi, shtohet evazioni, hendeku dhe urrejtja mes të varfërve dhe të pasurve. Duhet ta mbyllim këtë kapitull, dhe përpjekja ime është të bind klasën politike dhe shoqërinë për një amnisti masive, gjithëpërfshirëse fiskale dhe penale, dekriminalizimin e shoqërisë përmes ndryshimit të Kodit Penal, në mënyrë që të mos dënohet kush për drogë, prostitucion apo shkelje të vogla që mund të shlyhen me gjoba, legalizimin e prodhimit dhe shitjes së drogave dhe legalizimin e prostitucionit. Për këto po luftoj.

Ju kemi parë të ngrini zërin për kauza sociale, por edhe politike. Çfarë e solli këtë thirrjen tuaj për të folur pikërisht në këtë moment?

Fakti që burgjet janë plot me të rinj, të cilët dënohen për një pikë drogë, apo për një shkelje minimale, ndërkohë që ekonomia informale ka shtrirë metastazat në mënyrë të frikshme. Fakti që gati e gjithë klasa politike është me kokën në SPAK e trupin në kolltuk. Fakti që të gjithë janë të inkriminuar, si ai që nuk të jep kuponin tatimor apo nuk deklaron pagën reale, ashtu edhe një gjyqtar, një mjek, një pedagog, apo një politikan, që presupozohen të jenë ajka e shoqërisë, janë të përlyer në ndonjë allishverish. Mendoj se në shoqëri po mbillet shumë urrejtje.

Fjalori i përdorur prej kujtdo në parlament, media apo gjetkë është i papranueshëm. Besoj se nisma ime do të krijonte paqe sociale dhe do të rregullonte ekonominë dhe shoqërinë, që ka dalë nga binarët dhe është shndërruar në një vagon që lëviz kuturu, pasi është lënë pa lokomotivë. Besoj se po nuk i zgjidhëm urgjent këto probleme madhore të shkaktuara nga politika e papërgjegjshme, nuk do të mund të bëhemi kurrë as anëtarë të BE-së e as një vend me të ardhme.

Ju thoni të legalizohen të gjitha drogat, e keni fjalën edhe për drogat e rënda?

Po, edhe pse unë jam kundër përdorimit të tyre, por konsumimi i drogave në Shqipëri ka pësuar vetëm rritje dhe ka hapur shumë plagë, duke burgosur përdoruesit si të ishin trafikantë, apo duke shkaktuar shumë viktima hakmarrjeje e duke sabotuar ekonominë dhe prodhimin vendas. Ka rritur korrupsionin në gjyqësor e burgje. Ajo çfarë propozoj unë është krijimi i një banke investimesh ku të depozitohet i gjithë kapitali që fshihet nëpër offshore, që myket nëpër vende sekrete, apo që hahet nga miu.

Po ashtu, të nisë përdorimi i kriptomonedhave dhe të investohet në prodhimin dhe përpunimin e kanabisit si produkt farmaceutik, industrial, kozmetik dhe për konsum. Të hapen farmacitë 51% shtetërore dhe të prodhohen e shiten të gjitha drogat. Kësisoj, edhe njerëzit punësohen me sigurime dhe cilësia e tregtisë është e kontrolluar.

Si do të ishte Shqipëria nëse do të ndodhte një gjë e tillë, si e projektoni?

Shqipëria do të ishte një vend i begatë dhe jo vetëm që ekonomia do të lulëzonte, por edhe shoqëria do të gjente paqe e harmoni. Do të shihte më në fund dritë në fund të tunelit dhe rinia nuk do të detyrohej të punonte as në shtëpitë e barit nëpër botë, as të dergjej nëpër burgje për një cigare bar apo një gram drogë, por do të kishte skedë penale të pastër e do të punonte i siguruar. Pjesa më e madhe e bizneseve në Shqipëri janë fiktive ose thjesht alibi për të mundësuar prodhimin dhe tregtimin e drogave, ushtrimin e prostitucionit dhe pastrimin e parave. Pse të vazhdohet me këtë farsë, ku edhe shteti është në shërbim të anti-shtetit?

Në Shqipëri qarkullon shumë kapital i padeklaruar apo që rrjedh prej këtyre aktiviteteve. Nëse do të bëhej kjo që propozoj unë, edhe prodhimi vendas edhe GDP do të rritej. Evazioni dhe korrupsioni do të uleshin ndjeshëm, turizmi dhe të ardhurat që do të krijoheshin nga këto veprimtari do të hynin në buxhetin e shtetit.

Amnisti fiskale dhe penale, vetëm për çështjet e drogës apo më tej?

Për të gjithë ata që kanë krijuar kapital përmes çdo veprimtarie. Të gjithëve u duhet dhënë një shans të dytë në Shqipëri. Një pjesë e madhe e njerëzve që janë futur nëpër këto aktivitete janë njerëz shumë të zgjuar dhe duhet të futen në sistem duke u amnistuar dhe duke u dhënë dorën. Në këto momente të gjithëve u duhet kjo nismë, edhe politikanëve të inkriminuar edhe atyre që konsiderohen kriminelë, sepse kryejnë pastrim parash përmes skemash tepër inteligjente. Të gjithëve u duhet një shans i dytë në Shqipëri. Pa një vit 0 nuk ka as fund tranzicioni dhe as një kapitull të ri për shoqërinë shqiptare. Pasi t’i kemi bërë këto, atëherë le të bëhet shteti i fortë dhe me dorë të hekurt. Nëse do të realizohej kjo, nuk do të kishim nevojë as për borxhe, as për lëmoshën e botës. Kemi kapital shqiptar që depozitohet sa në Dubai, sa në Maltë, etj.

Mendoni se do të mjaftonin këto hapa për të ulur kriminalitetin në vend?

Besoj se po. Natyrisht që do duhet njëkohësisht të veprohet paralelisht edhe për krijimin e mundësive për edukimin profesional dhe për programe rehabilitimi për persona që kanë varësi, por besoj se do të krijohej paqe sociale. Edhe klasa politike do pastrohej, por edhe vendi do përfitonte menjëherë shumë të mira sidomos ekonomikisht dhe gjykatat do të çliroheshin nga dosjet e panumërta e një proces nuk do zgjaste 10 vjet. Edhe burgjet nuk do mbusheshin me fëmijë të cilëve u shkatërrohet jeta për një absurditet. Kjo është një nismë që nuk kërkon shumë kohë që të sjellë fryte, uroj të merret seriozisht nga klasa politike dhe opinioni publik e media.

Duket si një platformë e mirëfilltë politike e juaja, a ka Zhaku gati një program edhe më të gjerë së kaq?

Natyrisht që kam, bashkimin kombëtar, edukimin, mbrojtjen dhe sigurinë etj. Por besoj se ajo çfarë duhet të mbajë vulën time si aktiviste dhe përfaqësuese e shoqërisë civile është pikërisht ky revolucion, viti 0.

Si i keni parë politikanët e viteve të fundit, keni ndonjë të preferuar?

Është një lëmsh i madh. Nga klasa politike aktuale, nuk i duroj dot kur flasin pjesën më të madhe, por ka personalitete nëpër politikë që edhe janë tërhequr, por që kam respekt dhe i vlerësoj, si z. Agron Duka, Prof. Anastas Angjeli, Prof. Arben Malaj, Fatos Nano.

Zhaku si kryeministër, cilat do të ishin vendimet e para që do të merrje, ligjet që do të ndryshoje, veç këtyre që i keni bërë tashmë publike?

Unë nuk do të bëhem kurrë kryeministër, pasi nuk ka qenë asnjëherë në ambiciet e mia. E kam të vështirë ta projektoj veten në këtë pozicion madje qesha tani me këtë pyetje, pasi kam frikë se unë kryeministër do e kisha falimentuar shtetin për 10 minuta. Por, përveç projektit të sipërpërmendur, ajo që do të kisha bërë menjëherë, do të kishte qenë ngritja e një task force me inxhinierë të energjisë, minierave dhe ndërtimit dhe përmes ekspertizës së tyre do zhdukja kabllot elektrike që kanë pushtuar Shqipërinë në çdo cep, veshja e fasadave të pallateve të vjetra me fotovoltaike dhe hapja e minierave të quarzit dhe të një fabrike për prodhimin e silicit dhe fotovoltaikeve. Dhe do bëja bashkimin kombëtar

Ndërkohë me deklarata të forta edhe për showbizz-in, “shumë prej tyre janë eskorta”, sa të ndryshuar e sheh sot showbizzin shqiptar Zhaku, nga disa vite më parë, kur ju ishit pjesë aktive?

Është realitet, nuk e kam shpikur unë. Deklaratat e mia tingëllojnë të forta sepse shoqëria preferon ëndrrat me sy hapur dhe ta mbulojë diellin me shoshë. Unë nuk kam asgjë kundër eskortave, madje dua që të legalizohen dhe të punojnë të rregullta, si zonja, por është e trishtueshme kur sheh të titullohen artiste, këngëtare, modele, ndërkohë që janë eskorta, sepse kësisoj ulen këngëtaret, artistet, modelet e vërteta dhe kjo më duket e padrejtë. Showbizz-in nuk e ndjek fare pothuajse, shoh vetëm çfarë shfaqet në TikTok. Problemi është që i jepet shumë hapësirë dhe vëmendje “kotësisë” dhe hiçit.

Si mund të sistemohet, apo të ‘pastrohet’ ky treg?

Duke u ndarë shapi nga sheqeri.

Jeta në Gjermani, çfarë i ka ndryshuar Zhakut?

Më ka rritur, pjekur dhe sprovuar.

Angazhimi në politikë, a do të thotë një largim i përhershëm nga Gjermania?

Jo, sepse nuk do të jem as deputete, as në ndonjë funksion. Do të jetoj gjysmë këtej, gjysmë andej. (Panorama)

Advertisement