Connect with us

Politike

“Dua të bashkëpunoj me drejtësinë”/ Si u bë i penduar Gentian Sula: Nuk dua që emri im të njolloset

I penduari i drejtësisë, biznesmeni Gentian Sula ka vendosur që të thotë gjithë çfarë di për dosjen “Veliaj-Xoxa”. Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 5 qershor 2025, ai ka dhënë dëshminë e dytë duke pranuar edhe bashkëpunimin me organin e akuzës. Për ato që kishte thënë herën e parë që ishte thirrur në SPAK, më 9 janar, Sula u justifikua se kishte dëshmuar në gjendje të thellë tronditjeje dhe paqartësie. Kjo, sipas tij, edhe sepse nuk e kuptonte rëndësinë ligjore të dëshirë së tij. Ndaj herën e dytë, vendosi që të bëhej i penduar.

“Kam reflektuar për gjithçka dhe dua të bashkëpunoj me drejtësinë. Nuk kam asgjë për të fshehur dhe dua të jetë e qartë se zhvilloj një biznes të ndershëm, paguaj taksat dhe jam familjar i rregullt. Nuk kam asnjë lidhje me veprimtari të jashtëligjshme dhe nuk dua që emri apo aktiviteti im të njolloset,”- është shprehur Sula.

I pyetur në lidhje me shumën 115 000 euro, e gjetur dhe sekuestruar në firmën “Partners Law”, Sula ka thënë se nuk është e vërtetë që ka paguar cash apo ka porositur këtë shumë. Po sipas tij, hartimi dhe nënshkrimi i kontratës i ishte kërkuar si favor nga ana e Ajola Xoxës. Favor të cilin ka thënë se e ka pranuar, pasi nuk kishte dijeni që kjo kontratë do të paraqitej në prokurori dhe gjykatë. Por shtoi se kontrata nuk ishte përpiluar prej tij. Megjithatë, edhe pse e kishte firmosur, nuk dinte detaje se përse i duhej kontrata zonjës së parë të kryeqytetit. Përveç tij, një tjetër e penduar është Adela Kondakçiu, financiere në kompaninë e Ajola Xoxës. Pas disa muajsh hetime, ajo vendosi që të nënshkruante një “marrëveshje” me drejtësinë më 25 prill 2025.

Deri më tani, nga të dhënat e mësuara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dy janë “të penduarit” që kanë ndihmuar prokurorët në “kopsitjen” e dosjes. Por ndërsa njëri ishte në paraburgim, tjetra në “detyrim paraqitje”, asnjë prej tyre nuk dinte se cilët ishin “tradhëtarët”. Këtë detaj, Ajola Xoxa dhe Erion Velaj e kanë marrë vesh vetëm kur janë marrë si të pandehur. Por teksa tashmë kemi dy emra, nuk dihet nëse ka dhe të tjerë.

Advertisement