Connect with us

Kosova

DUART NE FYT, Bakoyannis e cilëson akt trimërie propozimin për korrigjimin e kufijve

Dora Bakoyannis, deputetja greke që hartoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në një artikull autorial, konsideroi se ideja e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mund të cilësohet si “akt trimërie” që u ndërmorr nga liderët e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë.

Duke përsëritur se rekomandimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk adreson çështjen e shtetësisë së Kosovës, ish-kryediplomatja greke përmendi kohën kur liderët e Kosovës dhe Serbisë – Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç – propozuan të negocionin mbi një parim të ri, ku të dyja palët do t’i rishikonin kufijtë shtetëror përgjatë vijave etnike.

“Pavarësisht se negocimi rreth kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve – për çka e kundërshtoj – unë e kam konsideruar këtë akt trimërie nga Vuçiçi dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është kritik në politikë. Dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve të imagjinatës kombëtare” – ka shkruar raportuesja greke

Sidoqoftë, ajo deklaroi se asnjë anëtari nuk i është kërkuar ndonjëherë që të përmbushë kaq shumë parakushte në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë të rëndësishme evropiane sikurse në rastin e Kosovës.

“Kjo është ndoshta arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan pro raportit”, tha Bakoyannis teksa dhe kujtoi sulmet ndaj saj që erdhën nga zyrtarët serbë pse rekomandoi anëtarësimin e Kosovës.

Megjithatë, raportuesja greke kujtoi se raporti i kushtohet vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për të sjellë edhe 2 milionë evropianë të tjerë nën ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, teksa dhe shtoi se nuk bëhet fjalë për pranimin e shtetësisë së Kosovës, gjithmonë duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane, ndërsa vendimmarrja finale është në dorën e Komitetit të Ministrave që pritet të mblidhet dikur në mes të muajit maj në Strasburg të Francës.

Advertisement