Aktualitet
Duhanpirja te të rinjtë, në nivele shqetësuese
Një studim i kryer nga qendra “Bashkëpunëtorët e Zgjidhjeve për Zhvillim”, DSA, në bashkëpunim me Universitetin e Illinois në Çikago tregon se konsumi i duhanit në Shqipëri është një trend në rritje, veçanërisht shqetësues te moshat e reja.
“Mbi 42% e meshkujve dhe 7% e femrave konsumojnë produkte duhani, një normë shumë më e lartë se mesatarja globale,” thuhet në studim.
Pirja e duhanit në Shqipëri është e lartë tek të rinjtë, ku më shumë se gjysma e meshkujve nga 25 deri 34 vjeç pinë cigare rregullisht dhe për më tepër, shumica e duhanpirësve e kanë filluar atë përpara moshës 18 vjeç.
Studimi i kryer me mbështetjen e “Bloomberg Philanthropies” u prezantua në një tryezë të rrumbullakët të quajtur “Nisja e duhanpirjes tek të miturit: Pse familja, shoqëria dhe politikat e qeverisë kanë rëndësi”.
Ky studim u bazua në të dhënat e siguruara nga anketa botërore e duhanpirjes tek të rinjtë, e cila është zbatuar në vendin tonë gjatë viteve 2004, 2009, 2015 dhe 2020.
Sipas rezultateve të studimit, gjysma e duhanpirësve kanë nisur të pinë duhan para moshës 13 vjeçare dhe 90% e tyre para moshës 15 vjeçare.
Disa nga faktorët që ndikojnë në nisjen e hershme të konsumit të duhanit janë të tilla si pirja e duhanit nga bashkëmoshatarët, konsumi i duhanit nga familjarët si edhe mungesa e politikave të kontrollit.
“Të miturit që janë të ekspozuar ndaj pirjes së duhanit nga bashkëmoshatarët e tyre kanë 90% më shumë gjasa të nisin duhanpirjen,” thuhet në studim.
“Të paturit e një prindi që pi duhan, rrit mundësinë e nisjes së duhanpirjes tek të miturit me 23%, ndërkohë që nëse të dy prindërit pinë duhan, gjasat rriten me 40%,” shton më tej studimi.
Prej analizës duket se ekzistojnë edhe disa faktorë që ndikojnë në uljen e duhanpirjes, të tilla si çmimi i lartë, taksimi dhe kontrolli prej autoriteteve.
“Rritja e çmimit me 10% redukton gjasat e nisjes së duhanpirjes me 5%. Pra rritja e taksimit, duke u reflektuar në rritje të çmimit të cigareve, kontribuon në uljen e niveleve të konsumit të duhanit,” sugjerojnë gjetjet e studimit.