Connect with us

Bota

‘Duhet të ndalet menjëherë’/ Trump: Nuk do të toleroj vazhdimin e gjyqit të Netanyahut

Donald Trump shprehu edhe një herë kundërshtimin e tij të fortë ndaj vazhdimit të gjyqit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Konkretisht, presidenti amerikan theksoi të shtunën se nuk do të “tolerojë” vazhdimin e gjyqit për korrupsion të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe kërkoi që ai të anulohet “menjëherë”.

“Shtetet e Bashkuara shpenzojnë miliarda dollarë në vit, shumë më tepër se çdo komb tjetër, për të mbrojtur dhe mbështetur Izraelin”, theksoi presidenti republikan nëpërmjet Truth Social. “Ne nuk do ta tolerojmë këtë”, shtoi ai, duke iu referuar procedurave penale që janë në vazhdim.

“Benjamin Netanyahu po negocion një marrëveshje me Hamasin, e cila do të përfshijë lirimin e pengjeve. Si është e mundur që Kryeministri i Izraelit të zvarritet nëpër sallën e gjyqit gjithë ditën për ASGJË?“, tha gjithashtu Donald Trump.

Të premten, një gjykatë izraelite hodhi poshtë një kërkesë nga mbrojtja e zotit Netanyahu për të shtyrë seancat dëgjimore në gjyqin e tij për korrupsion, mashtrim dhe shkelje të besimit për dy javë. Një avokat i kryeministrit izraelit ka kërkuar shtyrjen e procedurave që priten javën e ardhshme, duke përmendur “zhvillimet në rajon dhe në botë”, pas luftës kundër Iranit dhe mes luftës së vazhdueshme në Rripin e Gazës.

Më pas ai paraqiti në gjykatë një kërkesë të re për shtyrje, e cila kishte të bënte me anulimin e dy gjyqeve pasuese. Donald Trump kërkoi të mërkurën që gjyqi të anulohej, të cilin e karakterizoi si, një “gjueti shtrigash”. Diçka që e përsëriti dje, duke e përshkruar atë si të ngjashme me atë që ai vetë “vuajti”. Ai gjithashtu sugjeroi dhënien e një faljeje për “heroin e madh”, një ditë pas armëpushimit që u zbatua midis Izraelit dhe Iranit.

Netanyahu i mohon akuzat në këtë gjyq, i cili është shtyrë vazhdimisht që kur filloi në maj 2020. Në rastin e parë, ai akuzohet se ka pranuar, së bashku me gruan e tij Sara Netanyahu, dhurata luksoze me vlerë më shumë se 260,000 dollarë, puro, bizhuteri, shampanjë etj, nga miliarderë në këmbim të favoreve politike. Në dy çështjet e tjera kundër tij, Netanyahu akuzohet se ka negociuar për të siguruar mbulim më të favorshëm nga dy media izraelite.

Advertisement