Politike
‘Dumani ka frikë nga puna e tij’/ Berisha ka dy fjalë për raportimin e SPAK në KLP

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi edhe deklaratat e kreut të SPAK të bëra sot gjatë raportimit në KLP. Berisha tha se nuk do ta ndryshojnë Kushtetutën se Dumani, sipas tij, ka frikë nga puna e tij. Ai shtoi nga ana tjetër se Kushtetuta do të ndryshojë vetëm për diçka teksa sipas tij do të hiqet e drejta në mënyrë të prerë që prokurori të kontrollojë gjykatësin e dosjes.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Pastaj ka vetëm prokurori. A e dëgjuat sot, halli i mandatit. O zotëri, në qoftë se kryer detyrat në zbatim të ligjit, nuk mund të kesh frikë nga puna jote. Ja ku i ke kolegët e tu që kanë dhënë dënime me jetë, jo një, por disa, dhe i morët dhe i nxorët një nga një nga sistemi se dënuan kryebanditët e qeverisë dhe Partisë Socialiste.
Çfarë është kjo, të ndërrojmë Kushtetutën se ka frikë nga puna e tij? Jo mo, nuk ndërron Kushtetuta kurrë. Po, Kushtetuta do ndërrojë, do hiqet e drejta në mënyrë të prerë që prokurori të kontrollojë gjykatësin e dosjes. Kjo nuk ndodh në botë dhe ai ndryshim është urgjent. Po tjetër, për t’i zgjatur afatin, për t’i dhënë këtë apo atë, ta harrojë ai se ndryshon Kushtetuta për këtë. Çfarë pësuan, na thuaj pak ku i ke dënimet tij? Prokuroria e krimeve të rënda ka dhjetëra dënime përjetë, kriminelë nga më të rrezikshmit, ku i ke ti?
Nuk ke asnjë gjer sot se bën pazare. Ky është i fiksuar, në çdo takim kërkon, na ndryshoni Kushtetutën për karrigen time. Jo mor zotëri, nuk ndryshojmë Kushtetutën ne për karrigen tënde. Ti tregon se ke frikë nga puna që ke bërë. Pse ke frikë nga puna që ke bërë, ke qenë prokuror në Skap, do shkosh prokuror prapë diku tjetër, në qoftë se ke punuar, në qoftë se nuk ke punuar, do përgjigjesh.

