Connect with us

Kronike

Dumani shpërthen në gjykatë: 1.5 milionë euro për vrasje, emrat e rinj të krimit dalin në dritë

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar edhe sot në sallën e gjyqit lidhur me dosjen “Plumbi i artë”. Dumani ka rrëfyer njohjet edhe me personazhë të rinj të botës së krimit, që deri më tani nuk i kishte përmendur më parë. Sot ishte rasti i Behar Bajrit, për të cilin u shpreh se e kishte prezantuar një mik nga Burreli. Në rrëfimin e tij, Dumani përmend edhe një nga viktimat e masakës së Dobraçit, Arlind Bushatin.

“Elton Basha është një mik i imi dhe është nga Burreli. Rrinte në Durrës dhe kam 15 vite që e njoh. Në telefon e kam pas rregjistru me emrin ‘Bisha’. Me Behar Bajrin kam komuniku nëpërmjet Elton Bashës dhe nëpërmjet Arlind Bushatit. Çova Eltonin me një djalë tjetër në takim me Bajrat, këta të fundit shkojnë 10 veta me armë. Behar Bajri më kërkoi për të bërë goditje për Dorjan Dulin dhe Genc Tafilin dhe i kam dhënë mbi 1 mln e gjysmë euro. Ramë dakord për këtë marrëveshje. Nuk morëm asnjë lloj iniciative. Behar Bajrit i kam kërku Talo Çelën. Kishte thashetheme që Talo Çela rrinte te Suel Çela, por jo gjëra të vërteta. Me Behar Bajrin kam komuniku me SKY ECC,”-ka rrëfyer Dumani gjatë seancës në GJKKO.

Arlind Bushati ishte një nga viktimat e masakrës së Dobraçit, ku ndër personat që ndërruan jetë ishte edhe Hamza Lici, djalë i familjes kundërshtare të fisit Bajri.

Masakra e Dobraçit ndodhi pasditen e 30 tetorit, kur 4 persona i zunë pritë automjetit në të cilin po udhëtonte Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës dhe një person i tretë që është përfolur të ketë qenë vetë Ibrahim Lici, i cili mendohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit. Megjithatë, kjo e dhënë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Kjo masakër u kushtoi jetën edhe dy kalimtarëve të rastit, Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët po ktheheshin nga puna në shtëpi, kur motoçikleta e tyre u përplas nga “Benzi” i Hamza Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndërroi jetë në spital.

Advertisement