Connect with us

Shkrime

Durrësi turistik, si kalorësi që i varen këmbët

Haxhiqamilistë në politikën tonë kemi parë me kile e kuintalë, sa jemi lodhur me mendimet e vjetëruara të tyre, që ende vegjetojnë mes nesh dhe nuk i japin asgjë të ardhmes së jetës politike të vendit. Por deri më sot, ishte e vështirë të dalloje  ithtarë  të mbrojtjes së të drejtave ekonomike të shqiptarëve, ose “shakaxhinj” të përparimit, sipas shprehjes së Nolit të madh, në rolin e haxhiqamilistëve modernë të pengimit të investimeve të huaja serioze në ekonominë tonë. Të tillë, për fat të keq, po shohim tani. Nuk ka asgjë të keqe në kërkesat dhe presionin pozitiv për sa më shumë transparencë nga ana e qeverisë sonë, me origjinën dhe mënyrën se si 80.9 ha tokë shtetërore i vihen në dispozicionin investuesit të huaj, për ta shndërruar Durrësin dhe plazhin ende të papërdorur pranë Portit të vjetër tregtar të Durrësit, në një tërësi vilash, apartamentesh, hotelesh turistike, shëtitoresh dhe qendrash tregtare tërheqëse.

Investimi më i madh i huaj në 3 dekada
Sikurse dhe nuk ka rëndësi nëse kompanitë e miliarderit arab nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, i cili do të investojë 2.1 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme në Durrës, fillimisht do ta nisin investimin me disa qindra milionë euro, për ta shumëfishuar me shitje të apartamenteve që do të ndërtohen në fazën e parë.

Tabela 1. Treguesit e planit të biznesit të projektit “Durrësi: Jahte dhe marinë”

Rëndësi për ne si qytetarë, larg shqetësimeve të shakaxhinjve të përparimit ekonomik që i qajnë hallin kalorësit që po i varen këmbët(në këtë rast Durrësit), ka fakti se në të gjithë këtë investim që krijon mundësi dhe tërheqje turistike të jashtëzakonshme për vendin, buxheti i shtetit, arka jonë e përbashkët nuk paguan asnjë lek. Vihet në dispozicion një tokë që deri tani nuk ka tërhequr asnjë investues të brendshëm(e kush nuk do ta merrte nga shteti për ndërtim një tokë buzë detit në Durrës, nëse ajo tokë nuk do të ishte kaq vështirësisht e shfrytëzueshme sa këta 80 ha që po i jepen tani miliarderit arab?).

Investimi në realizim dhe i përfunduar rrit me 1 përqind çdo vit ekonominë tonë
Në përfundim, pas 5, 7 apo 10 vitesh, Durrësi do të ketë dy hotele me pesë yje me nga 850 shtretër, një shëtitore të re buzë detit, në një zonë që deri tani ka patur vetëm skorje dhe plehra, si dhe mundësi për të rritur fort praninë e pushuesve të huaj që sjellin shumë valutë. Pa folur për portin e ri të barkave turistike, anijeve të vogla dhe jahteve, i cili i ngelet shtetit si pronësi, pas një periudhë disa dekadash, të shfrytëzimit nga ana e privatit të huaj.

 

Tabela 2. Ndikimi ose efekti domino i projektit “Durrësi: Jahte dhe marinë” në ekonomi: rreth 1% e PBB

I gjithë investimi do të kontrollohet nga një ndërmarrje shtetërore që është krijuar posaçërisht, e cila, si përfaqësuese e shtetit tonë, do të ketë një të tretën pjesë të investimit, për gjithshka që ngrihet mbi truall, nga ky projekt. Projektin nuk e ofron një investues i huaj dokudo. Ai që premton 2.1 miliardë dollarë investim në tokën durrsake, quhet Muhamed Alabbar. Djali i madh i një familje modeste arabe me 12 vëllezër e motra, në  dekadën e fundit është konsideruar arabi i katërt më i fuqishëm dhe më me influencë në botë(https://www.arabianbusiness.com/lists/422978-worlds-most-powerful-arabs-2019-32). Emri i tij është garanci e suksesit të investimit. Investimi i Alabbar do të rrisë edhe sigurinë e investimeve të huaja në tokën tonë, krahas rritjes së fortë të imazhit të turizmit shqiptar, si një turizëm, më në fund cilësor në të gjithë përbërësit e tij.

Advertisement