Një 17-vjeçar u kap në flagrancë nga policia me një armë zjarri automatike, të cilën dyshohet se do ta shiste në qytetin e Vlorës. Ndërkohë, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 19-vjeçar, i dyshuar për bashkëpunim me 17-vjeçarin në sigurimin e armës.

Arma e zjarrit automatike dhe tre krehra janë sekuestruar gjatë operacionit. Policia ka organizuar këtë aksion në aksin rrugor “Fier-Vlorë”, ku gjatë kontrollit në bagazhin e një automjeti taksi, të marrë nga 17-vjeçari për udhëtim drejt Vlorës, u gjet armë zjarri dhe dy krehra mes sendeve të tij personale.

Pas veprimeve të mëtejshme, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. Gj., u gjet një krehër arme, i cili u sekuestrua si provë materiale, përveç armës së zjarrit dhe dy krehrit që kishte transportuar 17-vjeçari.

Puna për kapjen e shtetasit E. Gj. vijon, dhe materiali procedurial i është dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë për veprime të mëtejshme.