Connect with us

Kronike

Dy motrat do shisnin misra për kurimin e vëllait me leucemi/ Familjarët: Na ndihmoni ta shërojmë

Në familjen Dhimaku ka pllakosur zija. Dyer e mortit janë hapur. Mes dhimbjes së papërshkrueshme, familjarë e të afërm, po presin ngushëllime për ndarjen nga jeta të dy vajzave, studente të Mjekësisë, Elvisa 22 vjeç dhe Rozina 20 vjeç.

Sakrificat për të kuruar vëllanë 7-vjeçar, i cili vuan nga leucemia ishin të mëdha jo vetëm nga kryefamiljari që merret me blegtori, por edhe dy vajzat që punonin dy punë për të përballuar kushtet e vështira ekonomike.

Report Tv ishte pranë familjes Dhimaku, ku familjarët mes lotësh tregojnë se dy vajzat shisnin misra në qytetin bregdetar të Sarandës, për të mbuluar shpenzimet e kurimit. Halla e vajza, thotë se mbrëmjen kur ndodhi aksidenti, Elvisa dhe Rozina kishin mbaruar njërën prej punëve dhe ishin kthyer në banesë për të çlodhur. Pas 30 minutash u nisën për të shitur misra, në Sarandën që gëlon nga turistët, por punonjësi 24-vjeçar i Ministrisë së Brendshme, Kevi Norra, i dehur në timon dhe me shpejtësi u preu rrugën për shkak të një parakalimi të gabuar duke u marrë edhe jetën.

“Jetojmë në këtë dhimbje kaq të madhe. 2 çupat ikën nuk kthehen më. Në mbrëmje kishin ardhur nga puna, bënin 2 punë për shërimin e vëllait se s’kishin mundësi. Erdhën pushuan dhe u nisën prapë për punë. Në Sarandë shisnin misra dhe gjëra të fshatit. Ato ikën, dhimbjen e kemi”, tregon Shahide, halla e dy vajzave.

Guximin për t’i treguar djalit 7-vjeçar se dy motrat kanë humbur jetën, ende nuk e kanë gjetur. Të voglin e kanë larguar nga shtëpia, ndërsa një apel për ndihmë kanë për të gjithë shqiptarët që të ndihmojnë për kurimin e tij.

“Kanë vëllanë e vetëm, ai ishte shumë i lidhur me to, po ta marrë vesh…e kemi larguar nga shtëpia. Sadopak kërkojmë ndihmë që djali të shkojë në një spital më të specializuar që të na shpëtojë”, shprehet Shahidja, halla e vajzave mes lotësh”, vijon halla.

Djali ishte shumë i lidhur me dy motrat e tij më të mëdha. Prej 3 vitesh po përballet me sëmundjen e vështirë, ndërsa xhaxhai i tij rrëfen sakrificiat dhe vështirësitë që kanë kaluar.

“Jetoj në emigrim. Kjo që na ndodhi mos i ndodhtë askujt, as hasmit, ndihmë kërkojë dhe për djalin se vajti 3 vjet me këto probleme, ka sëmundje gjaku. Kemi luftuar me forcat tona kaq sa kemi pasur mundësi. Djali është 7 vjeç. Në momentin që do e marrë vesh, menjëherë do përkeqësohet gjendja e tij”, shprehet xhaxhai i vajzave Vasil Dhimaku.

Babai i dy vajzave merret me blegtori, ndërsa e ëma kujdeset për djalin e sëmurë.

“2 yje dy vajza, 22 vjeçe 20 vjeçe, të dyja studente në Tiranë. Prindërit punëtorë në fshat, punonin natë-ditë për ato vajza ti sistemojnë, të studionin. Kërkojnë ndihmë për çunin, zoti të na ndihmojë. Djali nuk di gjë për motrat”, tha Servet Dervishi, daja i vajzave.

Advertisement