Kosova
Dy vjetori i sulmit terrorist në Banjskë, Kurti kryen homazhe tek varri i Afrim Bunjakut

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte sot pjesëmarrës në Akademinë Përkujtimore të mbajtur me rastin e dyvjetorit të rënies së Rreshterit Afrim Bunjaku, i shpallur Hero i Kosovës. Ceremonia u zhvillua në nder të jetës dhe sakrificës së tij gjatë mbrojtjes së territorit të vendit në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Ngjarja u organizua nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës. Gjatë fjalimit të tij, Kurti e përshkroi këtë datë si një ndër më të rëndësishmet në rrugëtimin shtetformues të Kosovës, duke e cilësuar Bunjakun si shembull të trimërisë dhe përkushtimit ndaj vendit. Sipas tij, rreshteri Bunjaku u flijua në krye të detyrës, duke ndaluar një sulm të armatosur që synonte destabilizimin e veriut të Kosovës dhe cenimin e integritetit të saj territorial.
Kurti potencoi se sulmi ishte kryer nga një grup paraushtarak serb, i strukturuar dhe mbështetur financiarisht nga shteti serb, me Millan Radoiçiqin në krye – një figurë ende e lirë në Serbi. Ai i bëri thirrje misionit EULEX për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore për sjelljen para drejtësisë të organizatorëve të sulmit.
Në fund të fjalimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që morën pjesë në operacionin e 24 shtatorit, duke i cilësuar ata si mbrojtës të paepur të rendit dhe sovranitetit të vendit.
“Lavdi e përjetshme për heroin Afrim Bunjaku, dëshmorin që mbrojti lirinë dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës!”, përfundoi Kurti.

