Kosova
Dymbëdhjetë viktima dhe 728 raste të reja me koronavirus në Kosovë…mbyllet në fundjavë
Në Kosovë u raportuan të premten 12 viktima dhe 728 raste të reja me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se rastet e reja pozitive rezultojnë nga testimi i 1,827 mostrave.
Numri më i madh i tyre u konfirmua në Prishtinë: 316.
Instituti raportoi të premten edhe për 60 pacientë të shëruar nga koronavirusi.
Me këto shifra, numri total i të infektuarve në Kosovë arrin në 22,934, i viktimave në 732 dhe i të shëruarve në 15,981.
Raste aktive aktualisht janë 6,221.
Kosova mbyllet në fundjavë për mbrojtje nga pandemia
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e miratoi vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja kundër koronavirusit.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës mori vendim që nga ora 20:00 e ditës së sotme deri të hënën, në orën 05:00, t’iu ndalohet veprimtaria të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Në këtë periudhë do të mbyllen edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë po ashtu parasheh që furrat e bukës, barnatoret, dyqanet e vogla dhe pompat e derivateve të mbeten të hapura.
Vendimi e obligon edhe Policinë e Kosovës që të bëjë “kontroll rigoroz” të zbatimit të masave.
Ai vjen pasi, ditëve të fundit, në Kosovë është shënuar rritje e numrit të rasteve me koronavirus.