Connect with us

Kronike

Dyshohej se u vetëvra, del autopsisa/ 13-vjeçarja shqiptare u vra nga ish-i dashuri

Detaje tronditës janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë ku, Aurora Tila, një 13-vjeçare shqiptare humbi jetën në Piacenza, pasi dyshohej se u hodh nga kati i shtatë, nga një shtëpi ku ndodhej bashkë me të dashurin e saj. Ngjarja e ndodhur më 25 tetor 2024, e cila u dyshua si vetë vrasje tanimë po trajtohet si vrasje.

Në përgjigjen e autopsisë thuhet se dëmtimet në pjesën e pasme të kafkës sugjerojnë se ajo ka rënë mbrapsht, ndoshta si pasojë e një shtytjeje, dhe jo që është hedhur. Kjo është hipoteza e mjekut ligjor Giovanni Cecchetto, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Pavisë, e paraqitur në përfundimet e autopsisë së kryer mbi vajzën, raporton Liberta. Aurora, sipas autopsisë, kishte fraktura të shumta, të gjitha të lidhura me rënien nga lartësia. Por ato fatale do të kishin qenë dëmtimet në kokë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Një tjetër pikë kyçe e ekzaminimit është përqendruar në dëmtimet e konstatuara në duart e vajzës, veçanërisht në kyçet e gishtave.

Skenari i paraqitur përputhet me atë të përshkruar në urdhrin e paraburgimit të Gjykatës për të Mitur të Bolonjës kundër ish-të dashurit 15-vjeçar të Aurorës, i cili është i arrestuar nën akuzën e vrasjes me dashje dhe i mbrojtur nga avokati Ettore Maini. 15-vjeçari që ndodhet në burg për të mitur ndërsa mohon akuzën.

Polciia ka mbledhur dëshmitë e tre personave që pretendojnë se kanë parë ose dëgjuar atë që ndodhi mes Aurorës dhe ish-të dashurit të saj në tarracë. Sipas dëshmitarëve, Aurora është parë e varur pas parmakut, ndërsa djali e godiste me grushta mbi duart e saj për ta bërë të bjerë. Kujtojmë se motra e 13-vjeçares në një intervistë për “Quarto Grado”, u shpreh se motra e saj nuk ka vrarë veten dhe se dyshimet janë te ish i dashuri i saj 15-vjeçar. Ajo ka rrëfyer se adoleshenti ishte obsesiv dhe kishte sjellje të çuditshme, madje e cilëson edhe si një njeri me probleme të rënda duke shtuar se nuk e klasifikonte dot as si njeri.

Advertisement