Connect with us

Aktualitet

Dyshohet se vrau 26-vjeçaren serbe, policia ende në kërkim të shqiptarit (EMRAT)

Gjashtë muaj pas vrasjes së Ivana Krivokapiçit, një shqiptar nga Mali i Zi ende nuk është arrestuar. 24-vjeçari shqiptar nga Mali i Zi, Jetmir Goçaj, është shpallur në kërkim për vrasjen e 26-vjeçares Ivana Krivokapiç. Rasti i Ivanës shkaktoi vëmendje të madhe publike, pasi bëhej fjalë për një vrasje. Shqetësues ishte fakti se vrasësi iu shmang autoriteteve pa shumë përpjekje, dhe ka gjashtë muaj që nuk dihet vendodhja e tij. Çfarë dimë deri tani për vrasjen e një vajze të re, prindërit e së cilës prej muajsh presin drejtësinë?

Ivana nuk i përgjigjej telefonit për ditë të tëra, kur vëllezërit e shqetësuar vendosën të shkonin në banesën e saj në Zvezdara më 24 dhjetor të vitit të kaluar. Ata thyen derën e banesës, dhe pikërisht aty gjetën trupin e pajetë të vajzës.

Vajza u gjet me pantallonat e zbërthyera dhe bluzën e tërhequr lart me mavijosje të dukshme në qafë. Më vonë doli se ajo kishte lëndime edhe në gishta, gjë që tregonte se kishte luftuar me vrasësin e saj, raporton “Blic”. 

Mirëpo, në atë moment nuk u konfirmua zyrtarisht se bëhej fjalë për një vrasje, por për një vdekje të dyshimtë. Në banesë nuk kishte asnjë shenjë krimi, ndaj me sa duket nuk mund të dyshohej menjëherë për ndonjë krim të rëndë.

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Lartë Publike shpalli rezultatet e autopsisë, e cila konfirmoi se studentja ishte vrarë. Mirëpo, në atë kohë u bë e ditur se i dyshuari ishte person i panjohur.

“Dyshohet se një person i panjohur i ka marrë jetën Ivan Krivokapiçit duke e mbytur. Policia po punon intensivisht për zbardhjen e kësaj vepre kriminale dhe gjetjen e autorit”, u bë e ditur asokohe.

Mirëpo, në momentet pas vrasjes së Ivanës, vëmendjen e publikut e tërhoqi veçanërisht një person. Jetmir Goçaj publikoi në mënyrë aktive foto me studenten e vrarë në rrjetet sociale, së bashku me mesazhet zemërthyese të faljes. Goçaj u shtir si i trishtuar dhe i vuajtur gjatë gjithë kohës, derisa policia hodhi dritë mbi rastin.

Pas 20 ditësh u zbulua se kush ishte i dyshuari

Pas 20 ditësh nga vrasja, u konstatua se Jetmir Goçaj (24-vjeç) ishte i dyshuar për vrasjen e Ivanës. Këtë e ka bërë të ditur zyrtarisht Prokuroria e Lartë Publike në Beograd më 13 janar.

“Bëhet fjalë për shtetasin e Malit të Zi, Jetmir G. (24-vjeç). Pas kallëzimit penal me prova nga ana e policisë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj Jetmir G, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë për (xhelozi), për të cilën dënohet së paku 10 vjet ose me burgim të përjetshëm”, deklaroi Prokuroria.

Dyshohet se më 23 dhjetor 2022, Jetmiri i ka marrë jetën Ivana K, me të cilin ka qenë në një lidhje. Ditën e përmendur, ai ka ardhur në banesën e Ivanës në Zvezdara, ku qëndronte që prej datës 11.12.2022 dhe ka hyrë në një debat verbal me të. Më pas ai filloi t’i shtrëngonte duart mbi gojën dhe hundën e saj derisa ajo vdiq, më pas ai mbylli banesën dhe mori çelësin me vete. Ai dyshohet se në të njëjtën ditë është larguar nga territori i Serbisë me autobus. Prokuroria i propozoi gjykatës caktimin e masës së arrestit për Jetmirin, si dhe dhënien e urdhër-arrestit.

Jetmiri u zhduk pa lënë gjurmë

Sipas mediave malazeze, punonjësit e policisë nuk e kanë gjetur Jetmirin në adresën e tij në Mal të Zi. Siç raporton “Vijesti”, policia malazeze ka heshtur që nga mesi i shkurtit për pyetjet nëse dhe kur Jetmir Goçaj është larguar nga territori i Malit të Zi.

“Vijesti” ka pyetur Drejtorinë e Policisë më 14 shkurt, 21 dhe 28 prill se kur ka qenë hera e fundit dhe çfarë masash dhe veprimesh janë marrë për arrestimin e Goçajt, i cili kërkohet nga Serbia për vrasje./dosja.al

Advertisement