Politike
“E bllokoi BE, nuk i dhanë as darkë narkokryeministrit”/ Rama i kundërpërgjigjet Berishës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot përmes një videoje në rubrikën e tij në rrjetet sociale “Sy m’Sy”, ku komentoi me tone ironike deklaratat e opozitës në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rama u ndal te akuzat që opozita ka bërë lidhur me rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë duke e quajtur atë vetë si një “narkokryeministër”, ndërsa përdori gjuhë thumbuese për të përshkruar figurën e liderit të opozitës, Sali Berisha.
“Po si thanë kuak-kuakët e kënetës? S’ka më hapje kapitujsh, e bllokoi BE narkoshtetin. Se bufi shkoi me qirje Dulen dhe as darkë më nuk i dhanë narkokryeministrit”, u shpreh Rama me ironi.
Ai theksoi se ndodhej rrugës për në Luksemburg, ku do të hapet grupkapitulli i radhës i negociatave me BE, duke e cilësuar këtë si një tjetër dëshmi kokëfortë që Shqipëria është në rrugën drejt anëtarësimit.
“Ky i sotmi është një tjetër stacion që konfirmon se vetëm ne e dimë këtë rrugë, rrugën për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027,” tha Rama.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Kryeministri nënvizoi se integrimi evropian nuk është më thjesht një aspiratë, por një proces konkret dhe i pakthyeshëm.
“E ardhmja evropiane nuk është më aspiratë, por një proces që po ecën drejt portës së hapur për ne. Ky është momenti ynë, dhe fati e deshi që të jetë në dorën tonë,” përfundoi ai

