Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përcjellë sot një mesazh të qartë mbështetjeje për institucionin e SPAK, përmes një postimi në rrjetet sociale.

E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, zhvilloi një takim me Kreun e SPAK, Altin Dumani, dhe disa prej prokurorëve të këtij institucioni të specializuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjatë takimit, VanHorn vlerësoi guximin dhe përkushtimin e ekipit të SPAK në çmontimin e rrjeteve kriminale që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë.

 

“Ne e vlerësojmë bashkëpunimin e SPAK në luftën tonë të përbashkët kundër krimit ndërkombëtar, trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm,” – shkruhet në deklaratën e ambasadës.

Ambasada gjithashtu përforcoi rëndësinë e partneritetit strategjik mes SHBA dhe Shqipërisë, veçanërisht në aspektin e drejtësisë penale dhe sigurisë, duke theksuar se përpjekjet e përbashkëta në këtë fushë do të vijojnë me vendosmëri.