Kronike
E papritur/ Sëmuret Nuredin Dumani, i shoqëruar nga forcat speciale dhe RENEA dërgohet me urgjencë në QSUT

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, la qelinë këtë pasdite dhe u dërgua me urgjencë në spital.
Ai ka shfaqur probleme me zemrën dhe vështirësi me frymëmarrjen, për pasojë mjekët kanë sugjeruar shtrimin e tij në spital. Dumani është shoqëruar nga forcat speciale të burgjeve dhe forcat RENEA drejt QSUT-së.
Nuredin Dumani Ai është emër i njohur në botën e krimit. Dumani është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili tha se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre. Dumani mësohet se ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020. Për vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa sot ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Bujar Çela.
Gjithashtu Dumani ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do t’u vriste familjarët.
I shumëkërkuari Nuredin Dumani u arrestua në Fier gjatë operacionit të zhvilluar nga RENEA më 30 mars 2022. E gjitha ndodhi pas përfshirjes në një atentat të ndodhur pasditen e 30 marsit ndaj Talo Çelës, një prej emrave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Dumani u plagos në shpatull gjatë përplasjes në Elbasan. Policia mori informacion se Dumani pas atentatit në Elbasan ishte larguar për në qytetin e Fierit dhe po fshihej në një bllok pallatesh në lagjen “Apollonia”. Si i penduar i drejtësisë, ai ka dëshmuar për disa krime të ndodhura në Shqipëri.

