Kosova
E plagosi me thikë dhe më pas kreu vetëvrasje, reagon për herë të parë partnerja e stilistit

Rina Maloku partnerja e stilistit nga Kosova, Festim Isufi ka reaguar pas ngjarjes së rëndë, ku ky i fundit e qëlloi atë me thikë dhe më pas u vetëvra. Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo ka shkruajtur se vdekja e tij ka shkaktuar një dhimbje të madhe, teksa shprehet se do ta kujtojë gjithmonë atë si një njeri të mirë.
“Prehu i qetë jeta jem, humbja jote e papritshme na ka lënë me dhimbje të papërshkrueshme. Të du e të kujtoj si njeri të mirë, të buzëqeshur si ishe”, shkruan Maloku.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, ku dizajneri Isufi është përleshur me të dashurën e tij, Rina Maloku dhe në sherr e sipër e ka qëlluar me thikë në pjesën e duarve. E reja ka mbijetuar dhe ndodhet në spital, ndërsa Isufi ka vrarë veten më pas. Nuk dihet se çfarë konfliktesh po kalonin dyshja. Festim Isufi ishte i njohur në botën e modës për shkak të bashkëpunimeve të shumta që ka pasur me emra shumë të njohur si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Mes tyre mund të përmendim Agnes Vuthajn. Ai është stilisti I parë shqiptar që është ftuar në Javën e Modës në Paris.

