Connect with us

Politike

E PLOTË/ Salianji kërkon në Gjykatën e Lartë pezullimin e dënimit me burg

Ervin Salianji i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të pezullojë ekzekutimin e dënimit me burg ose ta shtyjë atë me 3 muaj.

Në shkresë argumentohet ndër të tjera se pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit.

“Ne kërkojmë nëpërmjet kësaj kërkese pezullimin e ekzekutimit, ose shtyrja e tij në kohë për tre muaj, referuar faktit që është dënuar me vendim të formës së prerë me burgim një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për një denoncim publik të kryer në maj të vitit 2018, denoncim ky që në kundërshtim me çdo normë të rendit juridik në fuqi në vendin tonë, është konsideruar si konsumim i veprës penale të “kallëzimit të rremë” të parashikuar nga neni 305 i K.Penal.

Ky vendim ka pasoja shumë të rënda për të dënuarin, pasi ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimit sjell mbarimin e mandatit të deputetit, në kuptim të nenit 71, pika 2, gërma “dh”, të Kushtetutës. Nga ana tjetër, ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi pengon kandidimin në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në periudhën prill – maj 2025, ku zoti Salianji është caktuar drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, në kuptim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”– thuhet në kërkesë.

Në kërkesë thuhet ndër të tjera se vendimi është iniciuar pa u arsyetuar, por vetëm me dispozitiv. Gjithashtu, sipas kërkesës, vepra penale e supozuar e konsumuar nga ana e kërkuesit Ervin Salianji, ka ndodhur në maj të vitit 2018, pra më shumë se 6 vite më parë nga marrja e vendimit formë të prerë.

“Gjithashtu vlen të theksohet fakti se ekzekutimi i këtij vendimi, është iniciuar pa u arsyetuar, por vetëm me dispozitiv (vendim i shkurtuar), format ky që nuk njihet nga K.Pr.Penale apo nga ligji nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, fakt ky që na pamundëson edhe depozitimin e rekursit pranë Gjykatës së Lartë. Po ashtu, element tjetër i rëndësishëm që duhet te merret parasysh nga Gjykata e Lartë është fakti që vepra penale e supozuar e konsumuar nga ana e kërkuesit Ervin Salianji, ka ndodhur në maj të vitit 2018, pra më shumë se 6 vite më parë nga marrja e vendimit formë të prerë. Kërkuesi nuk i është shmangur asnjëherë hetimeve apo gjykimit duke qenë pjesëmarrës në çdo seancë gjyqësore dhe nuk ka asnjë qëllim për mosekzekutimin e këtij vendimi pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar dhe humbjes së aktualitetit të këtij dënimi në lidhje me funksionin e parandalimit të posaçëm të dënimit penal”- thuhet në kërkesë.

       

Advertisement