Kosova
E rëndë/ 47-vjeçari bashkë me gruan dhe djalin ushtrojnë dhunë ndaj babait
Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike.
Nënat e baballarët detyrohen të largohen nga shtëpitë, në shumë raste edhe me forcë, si pasojë e telasheve. Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur së fundi në Malishevë, raporton Gazeta Sinjali.
Në një familje në fshatin Tërpezë të kësaj komune, djali bashkë me nusen e tij dhe të birin e tyre dyshohet se kanë keqtrajtuar babain e moshuar.
Rastin në Polici e ka denoncuar 81-vjeçari, i cili ka deklaruar se djali ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij, bashkë me nusen e nipin, duke i shkaktuar shqetësim të madh. Presioni ndaj tij dyshohet se ka qenë i vazhdueshëm pasi ata jetojnë në të njëjtën shtëpi.
Si rezultat i denoncimit të rastit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin, duke e mohuar se kanë ushtruar dhunë ndaj viktimës.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.