Kronike
E rëndë në Has! Digjet banesa, djali futet për të shpëtuar nënën, humbin jetën të dy nga flakët
HAS-Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Has ku nënë e bir kanë humbur jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët Incidenti është regjistruar rreth orës 02:00 në fshatin Nikoliq, informoi sot policia.
57-vjeçari i identifikuar si Rexh Lushi pasi ka shpëtuar bashkëshorten është futur në shtëpi për të nxjerrë nënën, Fatime Lushi e cila kishte mbetur e bllokuar mes flakëve, por fatkeqësisht asnjëri nuk ka mundur dot të dalë prej andej.
“Rreth orës 02:00, në fshatin Nikoliq, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit Rexh Lushi. Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasi Rexh Lushi dhe nëna e tij, shtetasja Fatime Lushi ndërsa bashkëshortja e shtetasit Rexh Lushi, shtetasja A. L., ka mundur të dalë nga banesa”, njofton policia.
Zjarrfikëset kanë nxjerrë nga banesa dy trupat e viktimave. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.