Kronike
E rëndë në Lezhë, 57-vjeçari vritet brenda makinës në oborrin e shtëpisë! Pista kryesore hakmarrja, vjet i vranë vëllanë në Belgjikë! 5 viktima në tre dekada mes dy fiseve

Gjendet i vrarë me breshëri plumbash brenda oborrit të shtëpisë së tij një 57-vjeçar. Krimi i rëndë ka ndodhur duke zbardhur dita e sotme (1 qershor) në Tale të Lezhës dhe motivi kryesor dyshohet se është gjakmarrja.
Viktima është identifikuar si Pjetër Kaza. Familjarët e gjetën trupin të qëlluar me armë zjarri brenda mjetit të tij, të cilin po e parkonte në oborrin e banesës. Policia bëri me dije se trupi është konstatuar nga bashkëshortja e viktimës rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, pak momente pasi ai ishte kthyer nga turni i natës, pasi punonte në minierën e Spaçit, në Mirditë.
Autorët dyshohet se i kanë zënë pritë afër banesës dhe e kanë pritur të kthehej, duke e qëlluar me breshëri plumbash. Policia vendore nisi hetimet dhe bëri me dije se dinamika dhe rrethanat mbeten ende të paqarta. Krimi mendohet se është kryer me armë automatike.
Pista kryesore mbetet gjakmarrja, pasi një vit më parë mësohet se Kazës i kishin vrarë edhe vëllanë në Belgjikë.
Dhe jo vetëm kaq, pasi saga e hakmarrjes mes dy fiseve Gjini dhe Kaza në Mirditë ka nisur tre dekada më parë. Më 1994, me vrasjen e shefit të Krimeve të Policisë Ndue Kaza nga vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Këta të fundit janë ekzekutuar në vitin 1997 nga Martin Kaza, i cili është arrestuar në Londër dhe më pas dënuar, burgim që po e vuan pas arrestimit dhe ekstradimit më 2017.
Por nuk u ndal këtu, pasi sipas dosjes hetimore, vitin e kaluar është ekzekutuar në Belgjikë me katër plumba edhe Agustin Kaza, vëllai i Pjetër Kazës që u vra sot.
“Në fshatin Tale, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. K., rreth 57 vjeç, banues në Tale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur para banesës së tij, në kohën që shtetasi P. K., po kthehej për në banesë me automjetin e tij. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë vendore të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër”, bënë me dije paraprakisht burime zyrtare të policisë, për ngjarjen e ndodhur sot.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.
Gazetari Elvis Hila, informon se sipas të dhënave paraprake, Pjetër Kaza është gjetur i vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij, ndërsa ndodhej në automjet.
Forca të shumta policie kanë rrethuar vendin e krimit, në rrugën e fshatit që të çon deri te banesa e viktimës. Ekspertët kanë analizuar gjurmët dhe po merret dëshmitë e familjarëve apo banorëve që mund të kenë dijeni apo kanë parë diçka të dyshimtë.
.

