Connect with us

Bota

E rëndë në SHBA! Atentat ndaj dy ligjvënësve demokratë në Minnesota. Vritet përfaqësuesja Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj, plagoset rëndë senatori

Dy ligjvënës nga Partia Demokratike në shtetin e Minnesotës janë sulmuar me armë në shtëpitë e tyre në SHBA. Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën përfaqësuesja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Melissa Hortman, si dhe bashkëshorti i saj, Mark Hortman. Lajmi u bë i ditur nga guvernatori i Minnesotës, Tim Ualz, gjatë një konferencë urgjente për mediat që u zhvillua mëngjesin e së shtunës.

“Kjo duket si një vrasje politike me qëllim të qartë. Një akt i dhunshëm që synon të krijojë frikë dhe destabilizim,” tha ai me një ton serioz dhe të prekur emocionalisht. Autoritetet raportojnë se një tjetër synim i sulmeve ka qenë edhe senatori i shtetit, John Hoffman, gjithashtu anëtar i Partisë Demokratike-Fermere-Punëtore.

Ai dhe bashkëshortja e tij, Yvette, janë qëlluar disa herë me armë në banesën e tyre në qytetin Champlin. Të dy u dërguan urgjent në spital dhe iu nënshtruan operacioneve. Guvernatori Ualz shprehu shpresën që ata do të mbijetojnë dhe tha se aktualisht gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarjet e dhunshme ndodhën në Champlin dhe Brooklyn Park, dy qytete të afërta pranë Minneapolisit. Policia dhe shërbimet e emergjencës kanë marrë masa të forta sigurie në zonë dhe kanë izoluar një perimetër prej rreth 5 kilometrash rreth vendit të ngjarjes.

 

Zyrtarët kanë urdhëruar banorët të qëndrojnë në shtëpi dhe kanë këshilluar që të mos hapin derën për askënd, përveçse nëse paraqiten dy oficerë policie bashkë. Dyshohet se agresori mund të jetë duke u paraqitur si polic dhe ende ndodhet në arrati.
balkanweb.al

 

Advertisement