Politike
‘E sfidoj të japim dorëheqjen…’/ Lapaj: Daja i Shabanit do t’ia çojë mandatin tonë Edi Ramës

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me përplasjen mes tij dhe Endrit Shabanit të Nismës Thurje, për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni në zgjedhjet e 11 majit.
Lapaj deklaroi se ekziston një marrëveshje e shkruar mes palëve, sipas së cilës mandati duhet t’i kalojë kandidatit më të votuar në listën e hapur. Duke qenë se ai rezultoi i pari në renditje, Lapaj tha se kishte propozuar që ai, Shabani dhe Pano Soko të tërhiqeshin në mënyrë që mandati t’i kalonte zonjës Greta Ambelit, gruaja më e votuar e koalicionit në Tiranë.
“Kam pritur zbatimin e kësaj marrëveshjeje, por kur u informova se një nga kandidatët e zotit Shabani u tërhoq nga ky zotim, u bë e qartë se marrëveshja nuk po respektohej,” tha Lapaj.
Ai shtoi se koalicioni kishte hyrë në zgjedhje me një premtim të qartë ndaj qytetarëve: se mandati do t’i kalonte kandidatit më të votuar. “Ligji elektoral i padrejtë na detyroi të përdorim këtë mënyrë për të djegur listat e mbyllura. Më vjen keq që ky zotim tani po shkelen,” u shpreh ai.
Në fund, Lapaj e sfidoi publikisht Endrit Shabanin: “Të vijmë bashkë dhe të japim dorëheqjen, që mandati t’i kalojë më të votuarës së listës, zonjës Greta Ambeli. Zoti Shabani kërkon që mandati të shkojë tek ai, jo tek më e votuara e ‘Shqipëria Bëhet’. Kjo nuk është ajo për të cilën i kërkuam besimin qytetarëve.”
Siç tregoi Lapaj, Ana Dajko e cila kandidonte në Tiranë është nëna e një prej kandidatëve në listë të hapur, ndërsa Kleana Xhuveli e cila kandidonte në Vlorë, është kushërira e parë e Lapajt.
Ndërkohë, Zeqir Kordhoni, është daja i Endri Shabanit, i cili sipas Lapajt po bllokon që ai të mos shkojë në Parlament, por sipas tij, mandatin e “Shqipria Bëhet”, t’ja çojë Edi Ramës.
“Ju jeni të qartë që listat e mbyllura janë vendosur për të djegur dhe për të pasur besim se do të ndodhte ndryshe, fatkeqësisht po e bllokon zoti Kordhoni.
Te gjithë ata që janë në lista janë familjarë të kandidatëve, Dajko, nëna e një prej kandidatëve tanë në Vlore, Xhuveli është kushërira ime e parë dhe është futur në listën e Tiranë për të djegur listën.
Tërë thelbi është se Kordhoni, daja i Shabanit, ka si qëllim që Adriatiku të mos vejë në Parlament dhe lista e hapur të mos aplikohet.
Nuk ka problem kush e merr mandatin. Por, nuk mund t’ja lëmë Kordhonit atë mandat që të shkojë e t’ja çoj Edi Ramës për të bërë 84 mandate.
Rama ka tentuar që këto dy muaj të më çojë në vathën e vet, por unë nuk kam pranuar. Kjo po bëhet për të më ndalur në këtë rrugë dhe ne si lëvizje, ne duam garë dhe meritokraci”- tha Lapaj.

